Sonte në emisionin “Komiteti Qendror” – i drejtuar nga Berat Buzhala, Leonard Kerquki dhe Shpend Limoni – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjinin, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës.
Ai ka thënë se kryeministri Mustafa nuk duhet të reagojë kundër kritikave ndaj tij, por këto duhet t’i shohë si arsye për të vepruar.
Lidhur me deklaratat e kryeministrit të vendit se atë mur e kanë ndërtuar, siç ka thënë ai, strukturat paralele serbe, Haradinaj ka thënë se në mënyrë të tillë mund të reagojnë organizatat joqeveritare, mediat, madje edhe opozita, por jo kreu i Qeverisë.
Kreu i AAK’së në “Komiteti Qendror” ka shtuar se Mustafa, si shef i ekzekutivit, duhet të japë vendim që muri të rrënohet, sepse ai i ka kompetencat për vendime, e jo t’i etiketojë të gjithë ata që e fajësojnë kryeministrin për lejimin e ndërtimit të murit, sepse, sipas Haradinajt, reagimet e tilla nga shoqëritë civile dhe opozita janë normale.