Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës.
Gazetës Online Reporteri.net merr vesh se e para e këtij dikasteri nga kjo e hënë, me kërkesën e saj, është e shoqëruar me mbrojtje shtesë nga zyrtarë policorë.
Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë edhe një përgjigjje nga Ministrja Haxhiu, e cila fillimisht ka qenë e qasshme në kontaktin me shkrim, por nuk i është përgjigjur pyetjeve të parashtruara për këtë çështje.
Kërkesa e Haxhiut vjen pas zhvillimeve të fundit dhe reagimeve të saj që lidhen me rastin e Faton Hajrizit.
Ministrja e Drejtësisë pas raportimit për vrasjen e Faton Hajrizit, duke dënuar aktin e kryer nga Hajrizi në Serbi, ngriti dyshime për vrasjen e tij.
Madje tha se është fakt se arratisja e disa personave të kërkuar nga institucionet në Republikën e Kosovës, po bëhet në drejtim të territorit të Serbisë, dhe informacionet sipas saj, sugjerojnë se disa arratisje janë bashkëorganizuar nga grupet kriminale atje.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ishte një pjesë e deklaratës së Ministres Haxhiu, e cila dhe mori reagime të shumta.
Për rastin e arratisjes së Faton Hajrizit, Ministres Haxhiu i është kërkuar dorëheqja.
Një thirrje e tillë erdhi edhe dje nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ditën e djeshme kërkoi dorëheqjen e Ministres Haxhiu dhe intervistimin nga Prokuroria Speciale, pas deklaratës së saj në ditën kur u raportua se i burgosuri i arratisur Faton Hajrizi u vra në fshatin Trbushnicë në Banja Kovilaça.