Site icon PrishtinaPress

Reagimet kundër Projektligjit për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar, sot protestohet para Kuvendit

Kolektivi ‘Marshojmë s’festojmë’ sot pritet të mbajë një aksion protestues lidhur me reagimet kundër Projektligjit për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor.

Aksioni pritet të fillojë në orën 10:00 te hyrja para Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të njëjtën kohë kur pritet edhe të fillojë seanca e jashtëzakonshme e deputetëve.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Kuvendi dështoi ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues, si pasojë e mospjesëmarrjes në votim të deputetit të pushtetit, Eman Rrahmani.

Rrahmani në vazhdimësi është deklaruar kundër këtij projektligji.

Gjatë shqyrtimit në parim, Rrahmani kishte thënë se duhet të rishikohet Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, për shkak se sipas tij, cenon familjen, për vlerat e së cilës thotë se angazhohet.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se një deputet nga shumica parlamentare qëllimshëm nuk po voton për ta pamundësuar procedimin e ligjit.

Në votim nuk morën pjesë as deputetët e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj.

Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.

Ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.

Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Exit mobile version