1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Rasti Thaçi dhe të tjerët, Specialja hudh poshtë kërkesën e mbrojtjes për apelimin e vendimit për pranimin e disa deklaratave me shkrim

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Angela Griep ka njoftuar se trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për apelimin e vendimit për pranimin e disa deklaratave me shkrim të disa dëshmitarëve në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në konferencën për informimin javor të DhSK-së, Griep tha se ky vendim është marrë më 18 qershor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Trupi gjykues rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për apelimin e vendimit për të pranuar me shkrim disa prej dëshmive të dëshmitarëve me qëllim thjeshtimin dhe shpejtimin e gjykimit. Po në të njëjtën ditë, trupi gjykues rrëzoi edhe kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për tre ndryshime në urdhrin e gjykatësve mbi zhvillimin e gjykimit, lidhur me seancat përgatitore të dëshmitarëve. Trupi gjykues konstatoi se Rregullorja në fuqi dhe urdhri mbi zhvillimin e gjykimit përmbajnë garancitë e duhura për të mbrojtur të drejtat e palëve kundërshtare sa u përket aspekteve të ngritura nga mbrojtja”, tha Griep.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, Griep tha se administratorja ka njoftuar trupin gjykues se Shiamala Alegendra-Khan është miratuar me kusht si bashkëmbrojtese e Jakup Krasniqit.

Tutje, Griep njoftoi për vazhdimin e masës së paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin me anë të dy vendimeve të ndara, duke specifikuar se për ata ekziston rreziku që të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose edhe të kryejnë krime të tjera.

“Në vendimet e tyre, gjykatësit theksuan se emrat dhe të dhënat personale të disa prej dëshmitarëve tejet të cenueshëm do të vazhdojnë t’i jepen mbrojtjes dhe me to do të njihen edhe të akuzuarit, dhe se lirimi i një të akuzuari që ka dijeni për informacion të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që ende nuk kanë dhënë dëshmi. Në këtë drejtim, trupi gjykues rikujtoi edhe konstatimet e veta të mëhershme se duket që të akuzuarit u kanë dhënë vizitorëve informacion lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur dhe në rastin e zotëri Thaçit, ai përcolli udhëzime për një dëshmitar të ardhshëm lidhur me formën dhe përmbajtjen e dëshmisë që do të jepte”, tha tutje Griep.

Ajo tha se trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për të caktuar një hetues të pavarur lidhur me disa pretendime të cilat janë paraqitur në një letër.

“Trupi gjykues rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për të caktuar një hetues të pavarur lidhur me pretendimet e paraqitura në një letër, të cilat mund të jenë relevante për besueshmërinë e një dëshmitari. Në vend të kësaj, trupi gjykues urdhëroi Prokurorinë të hetojë pretendimet në atë letër përpara se dëshmitari në fjalë të japë dëshmi, si dhe të njoftojë gjykatësit, mbrojtjen dhe mbrojtësin e viktimave për konstatimet e hetimit”, tha Griep.

Zëdhënësja e DhSK-së, tha se është miratuar pjesërisht kërkesa e mbrojtjes për kohë shtesë për t’iu përgjigjur parashtrimeve të Prokurorisë lidhur me fakte të shqyrtuara në procese të tjera.

“Termi “fakte të shqyrtuara në procese të tjera” u referohet aspekteve që kanë lidhje me gjykimin dhe për të cilat është vendosur në procese të tjera gjyqësore, qoftë nga DHSK-ja apo nga gjykata të tjera”, tha ajo.

Ndër tjerash, Griep foli edhe për paralajmërimin e fundit që kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova ka lëshuar për Nasim Haradinaj që të respektojë kushtet e përcaktuara në vendimin për modifikimin e dënimit të tij.

“Ky paralajmërim erdhi si rezultat i raportimeve se zotëri Haradinaj kishte dhënë disa intervista pa kërkuar paraprakisht leje nga administratorja, siç kërkohet në vendimin e kryetares mbi modifikimin e dënimit. Gjithashtu, kryetarja theksoi se zotëri Haradinaj ishte rikujtuar edhe më herët gjatë këtij viti për kushtet e lirimit të tij, veçanërisht sa i takon kontaktit me median dhe deklaratave të drejtpërdrejta apo të tërthorta për DHSK-në. Kryetarja Trendafilova paralajmëroi se çdo shkelje tjetër nga Haradinaj, sado e vogël, do të çojë në anulimin e vendimit mbi modifikimin e dënimit dhe rikthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit në Hagë, ku do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit”, tha Griep.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img