Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar këtë të enjte 14 dhjetorin e vitit 1998, kur 6 të rinj serbë nga Serbia u vranë në kafenenë “Panda” të Pejës.
Kryeministri nëpërmjet një postimi në platformën X, ka thënë se, në atë kohë, Serbia bën një fajësim ndaj shqiptarëve, i cili shërbeu si pretekst për një fushatë gjenocidale në Kosovë.
Autorët e këtij akti të dhunshëm, sipas deklaratës së Kurtit, ende nuk janë gjykuar dhe mbeten të pandëshkuar, edhe pse vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar se “shqiptarët nuk e kanë kryer këtë krim”.
Kryeministri Kurti ka kritikuar mungesën e drejtësisë dhe ka theksuar se edhe pas 25 vitesh, autorët mbetën të pandëshkuar.
“14.12.1998: Serbia vret 6 të rinj serbë në kafenenë “Panda” të Pejës dhe fajëson shqiptarët si pretekst për një fushatë gjenocidale në Kosovë. Qindra janë arrestuar dhe torturuar—për një krim që edhe Vuçiq pranon se “shqiptarët nuk e kanë kryer”. Pas 25 vitesh, autorët mbeten të pandëshkuar”, ka shkruar Kurti në platformën X.