Site icon PrishtinaPress

Rasti i mostrave të Deharit – Ministria e Drejtësisë thotë se s’e ka asnjë informatë

Numri dy i ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion për rastin e Astrit Deharit.

“Ministria e Drejtësisë në momentin që ka marrë vesh më 7 dhjetor të vitit 2022 automatikisht e ka lajmëru rastin në Prokurori. Prokuroria është duke u marrë me rastin. Asnjë informacion tjetër nuk e kemi sepse tashmë është në duar të pushtetit tjetër, pra pushtetit gjyqësor, ku bën pjesë edhe prokuroria. Dhe aty është duke u trajtu rasti në plotësi, besoj që rasti do të zgjidhet shumë shpejt”, ka thënë mbrëmë zëvendësi i Albulena Haxhiut në ATV.

Ndërkohë, Sallahu ka bërë të ditur se ky edhe ministrja Haxhiu kanë dhënë intervistë në Prokurori për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

“Në momentin kur dorëzohet një element parësor në prokurori, Prokuroria kërkon një intervisitim. Jam intervistuar edhe unë edhe ministrja Haxhiu. Kemi dhënë informatat e caktuara, varësisht prej pyetjeve të hetuesisë. Deri më tani nuk ka ndonjë verdikt të prokurorisë apo gjyqësisë lidhur më këtë rast”.

“Ne kemi dorëzuar informacione lidhur më këtë rast, kemi dorëzuar informacione të shumta prokurorisë, deri tash një mungesë e vullnetit të prokurorisë ka bërë që rasti të mos zgjidhet”, tha tutje ai.

Pa e komentuar këtë çështje, ka qenë Haxhiu, që ka thënë se për rastin e mostrave të Deharit duhet të përgjigjet “vetëm Prokuroria”.

“Ministria e Drejtësisë tashmë është përgjigjur. Ju lutëm të drejtoheni në Prokurorinë Speciale të Kosovës, siç e dini Prokuroria Speciale është duke e hetuar këtë rast”.

“Personi apo autoriteti kompetent është Prokuroria Speciale ne kemi dhënë përgjigje për gjithçka që kanë pyetur mediat, nuk mund të flasim më shumë se sa që kemi thënë, pra është në duar të Prokurorisë Speciale”, tha ajo para dy ditësh, shkruan Gazeta Insajderi.

Haxhiu ‘injoron’ Kurtin, thotë se për mostrat e Deharit kërkoni përgjigje në Prokurorinë Speciale

Kjo përgjigje e Haxhiut ishte si kundër-reagim për shefin e saj, Kurtin, i cili para se ministrja ta jepte këtë deklaratë, tha se për rastin “Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate”.

“…ne duhet të sjellim drejtësi”, thoshte Kurti për Deharin, i cili sot përgjegjësinë për rastin e mostrave e gjuajti tek Haxhiu

Se për çfarë përgjigje adekuate e ka fjalën Kurti, Gazeta Insajderi e ka pyetur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje që dy ditë.

Ndryshe, një burim brenda IML-së i ka thënë Gazetës Insajderi të premten se “mostrat janë gjetur në frigorifer që nuk ka qenë funksional në një hapësirë e cila nuk ka qenë e mbuluar nga kamerat, nga shkallët emergjente”.

 

Për rastin ende nuk ka folur as Prokuroria dhe as Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Rasti i mostrave të Deharit – Policia thotë drejtohuni tek Prokuroria Speciale, kjo e fundit që nga dje është “mbyllur” totalisht

Goga-Bajrami – e emëruara e Haxhiut që s’e kishte ‘kyçur’ Laboratorin nga ku u zhduken mostrat e Deharit, por që ‘kyçi’ gojën e saj nga atëherë

Pas rastit nuk doli të flasë në detaje as para e drejtësisë, e cila e ka nën menaxhim Institutin e Mjekësisë Ligjore, siç pati bërë në javën e parë të dhjetor të vitit 2022, kur e kishte thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për ta njoftuar opinionin publik se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë.

“Mbrëmë jam informuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë”, thoshte Haxhiu para gazetarëve, më 8 dhejtor 2022.

“Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND”, deklaronte Haxhiu në konferencën e jashtëzakonshme për media

Albulena Haxhiu duke njoftuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Dehari, 8 dhjetor 2022 | Foto: Albulena Haxhiu, Facebook

Ajo tutje pati njoftuar se vetëm tre persona kanë pasur qasje në mostrat e Astrit Deharit.

“Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urnës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, pati zbuluar Haxhiu.

Sipas saj, kjo situatë e rëndë vendoste hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo thoshte se do të ishte e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit.

“Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”, theksonte tutje e para e drejtësisë, Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

Nga “rasti i Astrit Deharit do të jetë prioriteti i yni qeveritar”, deri tek zhdukja e mostrave në ‘duar’ të saj

Por, si erdhi deri tek vdekja e Astrit Deharit?

Astrit Dehari së bashku me pesë aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje u arrestuan si të dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.

Gjithçka ndodhi në mesnatën e 5 gushtit të vitit 2016.

Sipas raportimeve dy prej aktivistëve të Vetëvendosjes me një motor ishin ndalur pranë Kuvendit dhe njëri nga ta ka nxjerrur një raketahedhëse dore duke e goditur pastaj objektin e Kuvendit.

Motori që u përdorë për kryerjen e kësaj vepre u gjetë vetëm pastaj i djegur në afërsi të pishinës së Gërmisë, shkruan Gazeta Insajderi.

Nga organet kompetente të drejtësisë me tu parë skenën e krimit ngjarja u cilësua si akt terrorist.

Nën petkun e Prokurorisë Speciale, Drejtoria Antiterror e Policisë nisi hetimin për ta zbardhur rastin. Me të filluar hetimet, të dyshuarit e parë ishin aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që në atë kohë kundërshtuan ashpër demarkacionin me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Afro një muaj pas sulmit mbi Kuvendin, Drejtoria kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, të ndihmuar edhe nga njësitet elite zhvilluan një aksion për kapjen e të dyshuarve. Fillimisht u arrestuan 6 aktivistë të Vetëvendosjes.

Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Hali e Astrit Dehari përfundojnë të arrestuar.

Me vendim të gjykatës të pesë prej tyre përfunduan në paraburgim, ndërkohë u lirua Petrit Ademi meqenëse nuk kishte prova se është i përfshirë në rast, shkruan Gazeta Insajderi.

Astrit Dehari u dërgua në qendrën e paraburgimit në Prizren. Atje qëndroi deri me 5 nëntor të vitit 2016. Në pasdite kur edhe ishte koha e shëtitjes, Astriti kishte vendosur të mos dilte nga çelia.

E këtu edhe ishin momentet e fundit të jetës së tij.

Ndërkohë që thuhej se gardiani i kësaj qendre ishte kujdesur për sigurinë e Deharit, shokët e çelisë me t’u kthyer brenda, më saktësisht në orën 15:53 e gjetën atë me një shishe mjalti në gojë.

U lajmëruan edhe mjekët, në gjendje të rëndë atë e nisën për në emergjencë, pak më vonë doli konstatimi që tashmë aktivisti i Vetëvendosjes kishte ndërruar jetë.

Në nderim të Astrit Deharit
E që nga ajo kohë gjithçka ka mbetur një mister. Derisa institucionet përkatëse konstatuan se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje me këtë vazhdojnë e s’pajtohen familja dh partia e tij. Ata thonë se u vra

Exit mobile version