Gjatë ditës së djeshme në rrjetin social “Facebook” kanë qarkulluar fotografitë e një gruaje me probleme të shëndetit mendor në Gjilan, e cila dyshohet se është dhunuar fizikisht e po ashtu është përdorur seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.
Fotografitë e saj fillimisht janë publikuar nga qytetarja Valmire Sylejmani, e cila ka thënë se gruaja sforcohet të kërkojë lëmosh nga disa persona të tjerë.
“Kjo gruaja që kam postuar quhet Adile dhe është nga Gjilani. Gruaja ka probleme të shëndetit mendor gjithashtu edhe nëna e saj. Kjo grua përdoret seksualisht, materialisht sforcohet të kërkojë lëmosh për palë tjera dhe kur nuk mbërrin në pazare të bollshme dhunohet barbarisht kështu si ne foto”, ka shkruar ajo në Facebook.
Në lidhje me këtë, tashmë janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, të cilët kanë njoftuar se rasti është inicuar si “Trafikimi me njerëz”.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se pas postimit nga qytetarët në rrjetin social “Facebook” të fotografisë së të dëmtuarës A.S. me lëndime trupore, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarre veprime hetimore, lidhur me këtë çështje penale.
Me urdhër të prokurorit kujdestar rasti është inicuar si “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të identifikohet/en kryerësi/it e kësaj vepre penale“, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria.
Ndërkaq, në lidhje me këtë rast, dje është deklaruar edhe Policia e Kosovës.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim.