Site icon PrishtinaPress

Rashiq thotë se së shpejti hiqet vendimi për ndalimin e mallrave serbe: Është gjëja e parë në agjendë

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se shumë shpejt do të tërhiqet vendimi që ndalon hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Këtë informacion, Rashiq tha se e ka marrë nga kryeministri Albin Kurti.

Ndonëse nuk dha një datë të saktë se kur mund të ndodh, Rashiq shtoi se është “gjëja e parë në agjendë”.

“Mendoj se do të ndodhë së shpejti, me faktin se po lutem që të mos ketë ndonjë komplikim shtesë, që të mos bie në plan të dytë sepse është tani. gjëja e parë në agjendë”, tha Rashiq.

Ndryshe, pasi serbët u ankuan se ka pothuajse dy muaj që Qeveria e Kosovës i ka lënë pa mallra serbe, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i ka thënë portalit “Kosovo Online” se meqë Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim europian, duhet të ndërmarrin veprime “që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përtej kufijve të saj, jo veprime që e pengojnë atë”.

“Siç thamë edhe më herët, ne mbështesim iniciativat që mundësojnë qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, duke forcuar sundimin e ligjit në të gjithë rajonin. Pasi që Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim europian, të dyja vendet duhet të ndërmarrin veprime që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përmes kufirit të tyre dhe jo veprimet që e pengojnë atë”, ka thënë një zëdhënëses i Ambasadës.

Ambasada e SHBA-së ka rikujtuar edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken pas bisedës telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 26 qershor, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe të kthehen menjëherë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian.

“Siç kemi thënë prej disa kohësh dhe siç ka thënë Sekretari Blinken pas bisedës me Kryeministrin Kurti më 26 qershor, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i de-përshkallëzojnë tensionet, t’i shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe menjëherë t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka qartësuar se vendimi i Qeverisë nuk vlen për lëndën e parë dhe gjysmë-produktet. Ai parasheh se nëse ky vendim vazhdon të mbetet në fuqi, atëherë bizneset do të dëmtoheshin në aspekt afatmesëm dhe afatgjatë për shkak të kostos më të lartë që sjell importimi i mallrave nga vendet më të largëta. Kjo, sipas tij, pritet të ndikojë edhe në ngritjen e çmimeve të atyre mallrave.

Serbia është në top 5 shtetet nga të cilat Kosova importon më së shumti mallra.

Mallra në vlerë prej 372 milionë eurosh kanë hyrë nga Serbia në Kosovë vetëm gjatë vitit të kaluar. Ndërkaq Kosova ka shitur në Serbi mallra në vlerë prej rreth 62 milionë euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor të vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 33 milionë e 757 mijë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2023, importet nga Serbia janë në vlerën e 13 milionë e 255 mijë eurove.

Exit mobile version