Site icon PrishtinaPress

Rashiq: Më vjen turp që Aleksandar Vuçiq është president i Serbisë

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka thënë se i vjen turp që Aleksandër Vuçiq është president i Serbisë.

Në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga”, Rashiq deklaroi se një pjesë e popullit serb janë turpëruar për shkak të tij.

“Më vjen turp që Aleksandar Vuçiq është president i Serbisë dhe po ashtu një pjesë e madhe e popullit serb ka turp prej tij”, citohet të ketë thënë Rashiq.

Kjo deklaratë e Rashiqit erdhi pas sulmit të 24 shtatorit mbi Policinë e Kosovës, nga një grup terrorist serbë.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq po ashtu për një medium tjetër tha sot se sulmi i armatosur në Banjskë, i cili u krye nga një formacion paramilitar, ishte akt terrorist.

Më 24 shtator, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë kur persona të armatosur, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë,  zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Exit mobile version