Site icon PrishtinaPress

Rashica viziton portierin çek në Prishtinë: Më fal vëlla, por tri pikë mbesin në Kosovë

Milot Rashica është mungesa e madhe e Kosovës në ndeshjen ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Në fakt Rashica është vetëm njëri nga lojtarët e lënduar, pasi për Dardanët mungojnë edhe Herolind Shala, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu e Benjamin Kololli.

Por ylli vushtrrias ka udhëtuar drejt Kosovës për ta përkrahur nga afër ekipin përfaqësues.

Pasi ishte prezent në stërvitjen e Përfaqësueses së Kosovës, Rashica ka vizituar edhe shokun e skuadrës së Werder Bremen, Jiri Pavlenka.

Vushtrriasi i ka bërë të qartë portierit çek se pikët e plota do të mbesin në Kosovë.

“Tri pikë qëndrojnë në Kosovë, më fal vëlla”, ka shkruar Rashica duke qeshur në Insta Story në një foto të publikuar me Pavlenkan.

Nuk ka vonuar shumë dhe këtë fotografi e ka shpërndarë edhe portieri çek.

Pavlenka ka thënë se i vije mirë që e takoi Rashicën, por tri pikët do t’i marrë ekipi kombëtar çek.

“Kënaqësi që të shihja, por tri pikët i takojnë Çekisë”, ka shkruar Pavlenka.

Kosova dhe Çekia takohen nesër në stadiumin Fadil Vokrri me fillim nga ora 15:00.

Exit mobile version