Site icon PrishtinaPress

Raporton Insajderi: Ish-shefat e Arben Vitisë marrin tender nga Ministria e Shëndetesisë

Firma private farmaceutike “Agani Ltd”, në të cilën ministri aktual i Shëndetësisë kishte punuar për tri vite, ka marrë hise të konsiderueshme në një tender për furnizim emergjent me barna.

“Agani Ltd” është njëra nga tri firmat përfituese të tenderit të emërtuar: “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 439 mijë (439.900,00) eurove.

Më 10 prill të këtij viti, kjo kompani private është përzgjedhur fituese e lotit 31 të tenderit, të vlefshëm 16 mijë (16.055,00) euro.

Sipas dosjes së tenderit, Ministria e Shëndetësisë ka blerë nga kompania “Agani Ltd”, 16.055 copë pilula “Morphina 20 mg 1 ml” në vlerë prej 16 mijë e 55 euro.

Ministria ka ndjekur procedurën tenderuese “të negociuar pa publikim të kontratës”. MSh-ja ka negociuar vetëm me kompaninë “Agani Ltd”, sado që ligji i prokurimit publik lejon që edhe në procedurat e mbyllura tenderuese të kontaktohen më shumë se një kompani private.

Por, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se vetëm një ndërmarrje private në Kosovë e ka të regjistruar produktin farmaceutik të morfinës.

“Sa i përket llotit për produktin ‘morfinë’, divizioni i prokurimit i MSH-së ka njoftuar se nuk ka pasur ofertë tjetër përveç të kompanisë ‘Agani’, i cili, sipas tyre, është operatori i vetëm që  e ka të regjistruar këtë produkt farmaceutik në Kosovë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MSh-së për Insajderin.

Ministria po ashtu ka thënë se ish-punëdhënësit e Arben Vitisë kanë qenë ofertuesit e vetëm për lotin 31 të kontratës, kur është pyetur mbi arsyet e përzgjedhjes së kësaj firme farmaceutike si fituese të lotit.

“Sepse ka qenë e vetmja kompani që ka ofertuar për morfinë dhe çmimi i ofertës ka qenë më i lirë se çmimi që e kishte parashikuar MSh-ja”, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë.

Lotet e tjera të kontratës, të cilat kanë të bëjnë me furnizimin e Ministrisë së Shëndetësisë me 11 lloje të barnave për trajtimin e personave me COVID-19, i kanë fituar dy kompani të tjera: “Liri-Med Sh.p.k” dhe “LEGO Sh.p.k”.

Kjo e fundit e ka fituar pjesën më të madhe të loteve të kontratës.

Lidhjet e Arben Vitisë me firmën “Agani Ltd”

Kompania “Agani Ltd” figuron në pronësi të Dugagjin, Don dhe Driton Aganit. Ajo e ka bazën në Komunën e Graçanicës dhe merret me tregtinë me pakicë e shumicë të artikujve farmaceutik.

Udhëheqës i “Agani Ltd”, sipas të dhënave që figurojnë në ARBK, është Dugagjin Agani.

Dugagjin Agani kishte mbajtur pozitën e zëvendësdrejtorit përgjatë periudhës 2004-2007, kur Arben Vitia kishte punuar në këtë firmë.

Insajderi ka gjetur se firma “Agani Ltd” i kishte dhënë përgjegjësi të mëdha Vitisë përgjatë tri viteve të kaluara nga ministri aktual si i punësuar në kompani.

Ndonëse në CV-në e tij Vitia ka deklaruar të ketë punuar në firmën “Agani Ltd” si këshilltar profesional i shitjes, një dokument të cilin e ka siguruar gazeta tregon se Vitia së bashku me Dugagjin Aganin, asokohe zëvendësdrejtorin e firmës, kishin qenë pjesë e bordit drejtues të “Agani Ltd”.

Arben Vitia kishte qenë pjesë e bordit drejtues të firmës private “Agani Ltd”

Sipas këtij dokumenti, Vitia kishte ushtruar funksionin e udhëheqësit të sektorit shëndetësor të firmës “Agani Ltd”. Kishte përfaqësuar këtë sektor si pjesë e bordit drejtues të ndërmarrjes.

Insajderi ka kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë për të kaluarën e ministrit Vitia në firmën “Agani Ltd”, por nga Zyra për Informim e MSh-së i janë referuar një biografie pa shumë të dhëna të ministrit lidhur me të kaluarën profesionale të tij.

Sipas tyre, ministri Vitia ka qenë i angazhuar vetëm si këshilltar profesional i shitjes në firmën “Agani Ltd”. Nuk kanë përmendur rolin që Vitia ka pasur në bordin drejtues të firmës.

“Ministri Vitia e ka të shkruar edhe në CV e tij se nga viti 2004 deri kah mesi i vitit 2007 ka punuar si këshilltar profesional në këtë kompani, përveç tjerash”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë që udhëhiqet nga Arben Vitia.

Ministria e Shëndetësisë ka nënvizuar se ministri Vitia nuk ka kompetenca të ndërhyjë në procedurat e prokurimit publik. Ka mohuar që ministri të ketë ndikuar për favorizimin e mundshëm të firmës së ish “shefave” të tij në kontratën për furnizim me barna të MSh-së.

“Kjo s’ka fare lidhje, sepse Kabineti i Ministrit nuk merret me çështje të cilat i ka në përgjegjësi shërbimi civil i MSh-së”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MSh-së. “Kabineti politik i Ministrit nuk ka kompetenca dhe as që do të ndërhyjë në kompetenca të Shërbimit civil të MSh-së”.

Insajderi ka kontaktuar të enjten edhe me firmën “Agani Ltd”, për të kërkuar sqarime rreth raporteve të tyre me ministrin aktual të Shëndetësisë. Por, Driton Agani, njëri prej aksionarëve të firmës, i ka kërkuar gazetës që t’i drejtohet atyre përmes pyetjeve me shkrim.

Megjithatë, gazeta nuk ka marrë përgjigje në pyetjet të cilat i ka dërguar në adresë të Dugagjin Aganit, udhëheqësit të kompanisë “Agani Ltd” dhe ish-bashkëpunëtorit të Arben Vitisë.

Exit mobile version