Në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashme të Parlamentit Evropian që mbahet sot do të paraqitet draft-raporti për situatën në Kosovë i raportuesit për Kosovën në PE, Riho Terras.
Në dokumentin e përpiluar ditë më parë, ai bën thirrje për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme Kosovë-Serbi, duke përfshirë formimin e Asociacionit, por gjithashtu i bën thirrje BE-së që të heq masat kundër Kosovës.

Në draft-raport, Terras i ka dhënë mbështetje të plotë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ka mirëpritur emërimin e Peter Sorensenit si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun ndërmjet dy vendeve.
Terras thotë se PE po ndjek nga afër zhvillimet politike dhe socio-ekonomike në Kosovë dhe thekson se ky raport i fundit, që përmbledh zhvillimet gjatë vitit 2024, vjen në këtë kohë pasi nuk mundi të realizohej më herët për shkak të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe formimit të Komisionit të ri.
Si përmbledhje, thuhet se gjatë viteve 2023 dhe 2024, Kosova ka bërë përparime të dukshme në reformat zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Megjithatë, raportuesi Terras thotë se “mbeten sfida në reformën në drejtësi, lirinë e medias, efikasitetin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike”.
“Angazhimi i vazhdueshëm ndaj reformave gjithëpërfshirëse dhe qeverisjes gjithëpërfshirëse është thelbësor për avancimin e Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian”, tha Terras në përmbledhje të këtij raporti.
Theksohet se disa nga sfidat e Kosovës janë probleme të trashëguara, “zgjidhja e të cilave kërkon përfshirjen e të gjithë rajonit në procesin më të gjerë të integrimit në Bashkimin Evropian”.
“Dialogu Prishtinë-Beograd, i cili u nis për të gjetur një kompromis të pranueshëm për palët, fatkeqësisht nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Komisioni i ri Evropian, si dhe Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, sigurisht duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të siguruar që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë me energji të përtërirë. Prandaj, emërimi i Përfaqësuesit të ri Special, Peter Sorensen, është shumë i mirëpritur”, u tha në përmbledhje të këtij raporti të siguruar nga Klani.
Terras tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian ka qenë një nga historitë më të rëndësishme të suksesit të BE-së dhe duhet të vazhdojë.
“Qëllimi më i gjerë gjeopolitik i zgjerimit është eliminimi i të ashtuquajturave zona gri nga harta e Evropës. Ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës duhet të rrisin gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u përballur me lojtarët konkurrues autoritarë globalë. Si Rusia ashtu edhe Kina kanë treguar se kanë interesa shumë të qarta në Ballkanin Perëndimor”, potencohet në raport.
Me këtë raport, raportuesi Terras u tha se dëshiron të ofrojë një pasqyrë dhe vlerësimin e Parlamentit Evropian për arritjet dhe sfidat më të rëndësishme me të cilat ballafaqohet Kosova sot dhe në të ardhmen e afërt.
“Sigurisht që nuk është e mundur të mbulohen të gjitha fushat problematike dhe sfidat në këtë raport. Një nga parakushtet e rëndësishme për përgatitjen e këtij raporti ishte mundësia për të vizituar Kosovën gjatë një misioni faktmbledhës dhe për t’u takuar me zyrtarë të qeverisë, liderë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Përgatitja e këtij raporti ka përfshirë shkëmbime shumë të dobishme me përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare, për të cilat raportuesi është shumë mirënjohës”, u tha mes tjerash në këtë raport.