Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka publikuar Raportin me të Gjeturat e Hulumtimit në Sektorin e Mirëmbajtjes dhe Higjienës në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Podujevë”.
Sipas të gjeturave të IHDNj sektori i mirëmbajtjes higjienike ose pastrimit në Kosovë është një sektor që shpesh herë nuk trajtohet apo diskutohet me seriozitet.
“Disa çështje thelbësore lidhur me këtë fushë janë: Sektori publik i punëdhënësve ka numër të kufizuar punëtorësh dhe ngarkesë të tepërt pune për punëmarrësit. Kushtet e tyre të punës dhe të drejtat e punëtorëve nuk trajtohen me seriozitet dhe nuk marrin vëmendje të duhur. Situatën në këtë sektor e vështirëson edhe ligji i prokurimit publik, i cili preferon përzgjedhjen e ofertës më të ulët në çmim”, thuhet në njoftimin e IHDNJ.
IHDNj ka gjetur se në sektorin privat nuk ka rregullore për pagat dhe nuk respektohen pushimet vjetore dhe ato mjekësore të punëtorëve në Sektorin e Mirëmbajtjes dhe Higjienes.
IHNDj përmes këtij hulumtimi ka arritur të identifikojë disa çështje të rëndësishme në sektorin publik, privat dhe joformal. Këto probleme mund të kategorizohen si më poshtë:
Neglizhenca institucionale: Të drejtat e punëtorëve në sektorin e mirëmbajtjes higjienike apo pastrimit janë neglizhuar nga institucionet përkatëse. Kjo neglizhencë përfshin mungesën e vëmendjes dhe veprimit drejt adresimit të sfidave me të cilat përballen punëtorët në këtë sektor.
Mbikëqyrja joadekuate: Inspektorati i Punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, përgjegjëse për mbikëqyrjen e praktikave të punës dhe tatimeve, nuk kanë ofruar mbikëqyrje të mjaftueshme në sektorin e mirëmbajtjes higjienike. Kjo mungesë mbikëqyrjeje kontribuon në vazhdimësinë e diskriminimeve në këtë sektor.
Rreziqet për shëndetin e punëtorëve: Shëndeti dhe mirëqenia e punëtorëve në sektorin e mirëmbajtjes së higjienës janë në rrezik për shkak të faktorëve të ndryshëm. Këto përfshijnë kushtet e papërshtatshme të punës dhe mungesën e masave mbrojtëse për të garantuar sigurinë e punëtorëve.
Mungesa e transparencës: Kompanitë private që operojnë në këtë sektor nuk kanë qenë të gatshme të ndajnë informacione thelbësore, si numri i punonjësve që kanë dhe kushtet që ofrojnë. Kjo mungesë transparence pengon përpjekjet për të vlerësuar me saktësi situatën e përgjithshme.
Hulumtimi poashtu ka zbuluar se ka një numër të madh të punëtorëve në sektorin e mirëmbajtjes higjienike që punojnë në formë të pa deklaruar, duke u angazhuar në vende të ndryshme gjatë javës ose muajit, dhe duke mos u aplikuar forma e kontratës së punës.
“Punëtorët në këtë sektor deklarojnë se marrëveshja e punës me punëdhënësin bëhet në mënyrë gojore, pa mbajtur evidencë dhe pa pasur siguri të garantuar. Pagat negociohen në bazë të numrit të orëve të punës dhe ditëve të angazhimit”, thuhet tutje në njoftim.