Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar së fundmi Raportin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2021.
Në këtë raport mes tjerash përmenden edhe zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në shkurt, ku theksohet fakti se pati presion dhe frikësim brenda komuniteteve të pakicave etnike për t’i mbështetur partitë e lidhura me Listën Serbe, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe.
“Disa serbë të Kosovës gjithashtu raportuan se u është bërë presion për të mos mbështetur parti të tjera përveç Listës Serbe. Sipas vëzhguesve të Institutit Kombëtar Demokratik, politikanët e Listës Serbe nxitën krijimin e partive të reja politike rome dhe boshnjake dhe i inkurajuan serbët e Kosovës që të votonin për këto parti të reja në përpjekje për ta rritur ndikimin e tyre në Kuvend duke i fituar vendet e rezervuara për grupet e pakicave”, thuhet në raportin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2021, shkruan Telegrafi.
Tutje në këtë raport përmendet edhe vendimi i Gjykatës Supreme për anulimin e shumicës së votave të hedhura për partinë e Iniciativës Rome dhe partinë Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq, të lidhura me Listën Serbe, duke pohuar se votat e tyre nuk erdhën nga komunitetet që synonin t’i përfaqësonin vendet e garantuara.
“Vendimi i Gjykatës Supreme bëri që Hoxhiq ta humbasë vendin e saj, i cili i shkoi partisë së dytë boshnjake, Bashkimi Social Demokrat. Iniciativa Rome gjithashtu humbi një nga dy vendet që fillimisht dukej se i fitoi, dhe vendi i shkoi një partie tjetër të komunitetit rom”, thuhet në raport.
Raporti përmend edhe vendimin e KQZ-së për t’i mohuar certifikimin e kandidatëve të çdo partive me një dënim penal në tri vjetët e fundit, duke shtuar edhe kritikën që i bëri në atë kohë këtij vendimi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani. Në këtë raport përmendet edhe shkarkimi i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka nga presidentja Vjosa Osmani.
Në pjesën e trajtimit të korrupsionit dhe mungesës së transparencës në qeveri, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, thotë se në vitin 2021 edhe pse Ligji parashikon dënime penale për korrupsion ndaj zyrtarëve, Qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive, shkruan Telegrafi.
The 2021 Human Rights Report on Kosovo is now available also in Albanian: https://t.co/TJGVP4hRvl and Serbian: https://t.co/FF8b7bt5jJ. Check it out to learn more about the state of #HumanRightsInKosovo during 2021. https://t.co/hnkRVjZK7h pic.twitter.com/HqBc2lXF4z
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) April 21, 2022
“Pati raportime për korrupsion në Qeveri. Zyrtarët nganjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit i kontribuuan këtij problemi. Rastet e korrupsionit shpesh i nënshtroheshin apelimit të përsëritur dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte parashkrimin e rasteve pa i gjykuar ato”, thuhet në raport.
Këtu mund ta gjeni raportin e plotë në gjuhën shqipe. /Telegrafi/