Kryetari i Organizatës “Demokracia Studentore”, Mexhid Ramusa, ka kërkuar nga presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi për mbështetjen e idesë për një pllakë përkujtimore, e cila do të vendoset në kampusin e Universitetit të Prishtinës, ku do të përkujtohen të gjithë studentët e rënë për lirinë e Kosovës që nga viti 1981 deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një komunikatë për media, Ramusa thekson se një iniciativë e tillë është dashur të merrej më herët, andaj shpreson se do të marrin mbështetjen e kreut të vendit që ky projekt të ekzekutohet brenda një viti.
“Në përvjetorin e 36-të demonstratave gjithë studentore të vitit 1981 të Universitetit të Prishtinës kërkojmë publikisht nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi që të na mbështet në idenë e një pllake përkujtimore e të gjithë atyre studentëve që kanë rënë në dëshmorë për lirinë e vendit prej vitit 1981. Pllaka Përkujtimore e cila do të vendoset me një pikë strategjike në Kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe do të shikohet nga të gjithë që të përkujtojmë sakrificën e studentëve të cilët kanë rënë për lirinë e vendit tone, ne e dimë se celulat e para të lëvizjeve për çlirimin e Kosovës kanë lindur pikërisht në këtë universitet”, thuhet më tej në komunikatë.
Duke përkujtuar se demonstratat e organizuara nga studentët në mars të vitit 1981, kanë shënuar kthesën vendimtare duke kërkuar një herë e përgjithmonë ndarjen definitive të shqiptarëve që ishim të robëruar nga ish-Jugosllavia, Ramusa thekson se e kemi për obligim moral që t’i përkujtojmë të gjithë kolegët tanë të cilët kanë rënë heroikisht që ne sot të jetojmë të lirë.
“Njëkohësisht, jemi të shqetësuar se si nuk është marrë kjo iniciativë deri tani, andaj shpresojmë që presidenti të na mbështesë dhe ky projekt të ekzekutohet brenda një viti, pasi që presidenti Thaçi i takon epokës së ndryshimeve në Kosovë dhe është njëri ndër themeluesve të parë të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, i cili në atë kohë ishte po ashtu student i UP-së,” tha Ramusa.