Situata e tensionuar në veri të Kosovës është trajtuar në mbledhjen e mbajtur dje nga minsitrat e Jashtëm të BE-së, prej nga dolën kërkesat e BE-së, të cilat janë në sinkron me SHBA, për të cilat folën, në një konferencë për media, përfaqësuesi i Lartë për Siguri e Politikë të Jashtme të BE-së, Jospe Borrell, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Për të diskutuar për këto çështje, në “Info Plus”, njohësi i sigurisë, Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i AKI-së, tha se situata në veri dhe jo vetëm, është e tensionuar dhe sigurisht përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë këtu NATO-n dhe BE-në, kanë informacionin e duhur më shumë, sesa që kanë aktorët lokalë dhe, rrjedhimisht, kanë shqetësimin në ndikimin e Rusisë për inskenimin e ndonjë konflikti, pavarësisht masës që mund të ketë, në mënyrë që perioriteti i Perëndimit, që është i përqendruar në Ukrainë, të mund të ndahet dhe në vendet tjera, siç mund të jetë Ballkani, që mund të konsderohet si i favorshëm për Rusinë e Serbinë.
Ramadani, mes tjerash, foli edhe për rolin e Shqipërisë në aspektin e sigurisë në rajon
“Rroli i Shqipërsisë që ka rifilluar të jetë më aktiv në aspektin e sigurisë rajonale, jo vetëm që duhet të vazhdojë, por edhe ta thellojë edhe më shumë përgjegjësinë që ka Serbia në këtë tensionim të situatës që ka ndodhur, duke kërkuar që edhe Kosova të jetë më konstruktive në raport me partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Ramadani në “Info Plus”, në RTK.
Ndërkaq lidhur me deklarimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, Josep Borrell, se në rast të mospërmbushjes së kërkesave të shtruara nga BE, Kosova do të përballet me masa ndëshkuese, Ramadani tha se Kosova fatkeqësisht ka pasur lajm të keq në aspektin e sigurisë, duke shkaktuar ndërhyrjen e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë, pë qetësimin e situatës, sikundër ka ndodhur në komunat veriore, duke marrë detyra policore, ku, siç u shpreh ai, pakësohet sovraniteti i vendit.
“Aty ku ka angazhim më të madh të KFOR-it brenda Kosovës, aq më pak ka shtet”, deklaroi, mes tjerash, Ramadani, derisa shtoi se me masa nënkupton edhe rifuqizimin e “Rezolutës 1244”, qoftë edhe i pjesshëm territorialisht, ku veriu mund të futet nën admisnitrimin ndërkombëtar, qoftë edhe pa u shpallur.