Reagimeve të fundit të të ashtuquajturit “Grupi i Tiranës” brenda Lëvizjes Vetëvendosje, si Dejona Mihali dhe Hysamedin Ferajnë; ky i fundit duke konstatuar se “Ramush Haradinaj me shpejtësi të dritës fal territor të Kosovës”; u është kundërpërgjigjur ish-Kryeinspektori i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, Burim Ramadani.
Ramadani i sheh që “grup individësh të përçudnuar” që shteti shqiptar prej nga vinë “i ka hedhur në plehra me kohë” dhe se një gjë e tillë pritet edhe në Kosovë.
“Klithjet e një grupi individësh të përçudnuar, mes tyre edhe me gjak të përzier, janë shumë indikative për zierjen e gjellave helmuese anti-shqiptare. As nuk janë shqiptarë plotësisht, as nuk kanë mendim. Në dukje kanë formë të njeriut, por esencialisht janë makina të strukturave armiqësore ndaj Kosovës dhe çdo gjëje shqiptare”, ka shkruar Ramadani.
“Shqipëria dhe opinioni atje i ka hedhur në plehra me kohë. Kosova dhe opinioni publik ende vuajnë.Hysamedin e quajnë. Dejona e quajnë. Nuk janë udhëheqës të projektit, janë shërbëtorë moronë. Vjen dita për t’i hedhur në plehra edhe këtu! Shpejt!”, përfundoi Ramadani.