Site icon PrishtinaPress

Ramabaja: Nuk do të ishte e papritshme që të tërhiqet edhe ndonjë ministër

Me të marrë detyrën si ministër i Mbrojtjes bëri të ditur se ka lënë mërgimin për t’u angazhuar në Qeverinë Kurti. Por, mandatin e tij, Armend Mehaj e la në gjysmë.

Pas më shumë se dy vite në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj ia paraqiti dorëheqjen shefit të tij, Albin Kurtit.

Analisti politik, Sadri Ramabaja thotë se Mehaj e ka pasur në mendje largimin që disa muaj.

“Shkaqet e dorëheqjes së tij janë të karakterit familjar. Mendoj se kontributi i tij në këtë ministri ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe Kosova ka nevojë për një mirënjohje ndaj tij sepse ka dhënë kontribut. Me ekzekutivin nuk ka pasur kurrfarë mospajtimesh por ka pasur mbështetje nga kryeministri. Ai ka kryer punë të mira në rrafshin e sjelljes së armatimit. Unë kam pasur dijeni për largimin e tij para disa muajve”, tha Ramabaja.

Madje Ramabaja nuk e sheh si të papritur as largimin e ndonjë ministri tjetër.

“Në të gjitha qeveritë pas dy vjetësh mund të ketë ndryshime. Disa prej dikastereve mund të tërhiqen dhe largohen. Nuk do të ishte e papritshme që të tërhiqet edhe ndonjë ministër tjetër. Uroj që ai ajo të ketë një zëvendësim adekuat.  Ejup Maqedonci është një prej figurave më të mira të fushës së mbrojtjes dhe pretendimi është që FSK të shndërrohet në ushtri mbrojtëse të mirëfilltë”, shtoi ai.

Exit mobile version