-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Rama, Vuçiq dhe Zaev, letër të hapur para takimit për Ballkanin e Hapur: Shtetet e rajonit të na bashkohen

Tre liderët e rajonit, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev, kanë shkruar një letër të hapur ku i bëjnë thirrje vendeve të tjera të rajonit që t’u bashkohen në këtë nismë.

Letrën e tre krerëve në lidhje me Ballkanin e Hapur, është publikuar vetëm dy ditë para takimit të radhës në lidhje me këtë nismë që do të mbahet në Tiranë.

Në letrën e tre liderëve që publikohet sot nga Abcnews.al dhe Gazeta Express thuhet se vizioni i tyre është të tejkalohen pengesat sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit nëpërmjet zbatimit të katër lirive  themelore të BE-së.

Edhe pse nisma e Ballkanit të Hapur përfshin deri tani vetëm Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Rama, Vuçiç dhe Zaev theksojnë se nisma ka qenë dhe do të jetë e hapur për të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ne kemi ndasitë tona, nuk biem dakord për disa çështje politike, por të gjithë e pranojmë se ekonomia dhe katër liritë themelore të BE-së janë mënyra më e mirë për t’i dhënë rajonit tonë shpresë për një paqe afatgjatë. Ballkani i Hapur nuk është një çmim ngushëllues në vend të anëtarësimit në BE, por përkundrazi, një hap i madh drejt tij”, thuhet në letrën e hapur nga tre liderët.

Një thirrje nga Rama, Vuçiç dhe Zaev, shkon edhe për BE ku theksojnë se duhet të bashkohet e të mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur dhe të nxisë fqinjët e tjerë që ta shndërrojnë gjithëpërfshirjen e nismës nga një nevojë në një vepër.

Është koha që të gjithë kombet dhe njerëzit e rajonit të bashkohen për një të ardhme të përbashkët më të mirë. Për një të ardhme që ofron stabilitet, paqe dhe standarde më të larta jetese për të gjithë. Një të ardhme që i tejkalon mosmarrëveshjet e së shkuarës dhe u jep fëmijëve tanë shpresë në vendin ku ata meritojnë të jetojnë”, theksohet në letër.

Më poshtë gjeni letrën e plotë të tre liderëve

Europa nuk është thjesht një kontinent, por një vizion. Megjithatë, për një kohë të gjatë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e kontinentit dhe e këtij vizioni, janë lënë jashtë. Dëshira e popullit tonë për t’u bërë pjesë e familjes së BE është shpërfillur herë pas here për shkak të politikës së brendshme të vendeve anëtare, mungesa e realizimit të premtimeve të bëra si dhe frika nga e ardhmja. Kjo ka sjellë zhgënjim, paqëndrueshmëri, emigracion dhe mungesë investimesh të mëdha.

Ne,si udhëheqës të vendeve tona mund të vendosim të vendosim të rrimë e të qahemi apo të veprojmë.Ne zgjodhëm këtë të fundit. Në nëntor 2019, nënshkruam një marrëveshje paraprake për të çuar përpara të ashtuquajturin Procesi i Berlinit duke marrë përsipër një bashkëpunim më të thellë rajonal.

Vizioni ynë është të tejkalojmë pengesat sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit tonë nëpërmjet zbatimit të katër lirive  themelore të BE-së në vendet tona.

Që atëherë ne jemi takuar sistematikisht dhe kemi nënshkruar marrëveshje që u mundësojnë qytetarëve tanë të punojnë lirisht në vendin fqinj; që reduktojnë kontrollet kufitare të cilat do të lejojnë kalimin e mallrave pothuajse pa vonesë; themelojnë mekanizma për udhëtimin e lirë të qytetarëve tanë ndërmjet vendeve tona – ashtu siç udhëtojnë qytetarët e BE-së mes tyre. Nisma jonë, e pagëzuar si “Ballkani i Hapur”, ka treguar efikasitet dhe dobishmëri edhe ne kohët e vështira të pandemisë.

Edhe pse nisma e Ballkanit të Hapur përfshin deri tani vetëm Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo ka qënë dhe do të jetë e hapur për të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor. Shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ftojmë edhe një herë të gjithë fqinjët tanë të bashkohen për t’u ofruar qytetarëve të tyre dobitë që ne u ofrojmë qytetarëve tanë.

Nëpërmjet lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, bashkëpunimi ynë mund të nxisë tregtinë dhe rritjen ekonomike për ta bërë jetën më të lehtë për gjithsecilin prej nesh.

Të akuzuar shpesh si “fuçia e barutit” e Europës, ne si udhëheqës përgjegjës nuk mund të lejojmë që rajoni ynë të kthehet përsëri në makthet e së kaluarës, ndërkohë që BE-ja nuk është në gjendje të bëjë më shumë për zgjerimin në këtë faze që është.

Ne kemi ndasitë tona, nuk biem dakord për disa çështje politike, por të gjithë e pranojmë se ekonomia dhe katër liritë themelore të BE-së janë mënyra më e mirë për t’i dhënë rajonit tonë shpresë për një paqe afatgjatë.

Ballkani i Hapur nuk është një çmim ngushëllues në vend të anëtarësimit në BE, por përkundrazi, një hap i madh drejt tij. Ashtu si Komuniteti i Qymyrit dhe Çelikut parapriu lindjen e Bashkimit Europian pas Luftës së Dytë Botërore, edhe “Ballkani i Hapur” do të mbahet mend si momenti që i afroi kombet tona më pranë Bashkimit Europian dhe drejt anëtarësimit të plotë në bllokun më të madh tregtar në botë.

Disa liderë europianë dhe administrata amerikane kanë shprehur tashmë mbështetjen e tyre dhe ne i falënderojmë ata për këtë.  Gjithashtu sipërmarrës, fermerë, studentë nga i gjithë Ballkani Perëndimor shprehën mbështetjen e tyre gjithashtu. Ata janë një frymëzimi ynë.

Tani e gjithë BE-ja duhet të bashkohet e të mbështesë plotësisht Ballkanin e hapur dhe të nxisë fqinjët e tjerë që ta shndërrojnë gjithëpërfshirjen e nismës sonë nga një nevojë në një vepër. Është koha që të gjithë kombet dhe njerëzit e rajonit të bashkohen për një të ardhme të përbashkët më të mirë.

Për një të ardhme që ofron stabilitet, paqe dhe standarde më të larta jetese për të gjithë. Një të ardhme që i tejkalon mosmarrëveshjet e së shkuarës dhe u jep fëmijëve tanë shpresë në vendin ku ata meritojnë të jetojnë.

Zoran Zaev

Edi Rama

Aleksandar Vuçiq

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img