Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është kthyer dhe njëherë akuzave për abuzime me fluturimet e tij me charter. Kësaj here kreu i qeverisë shqiptare shpjegon se për vizitat e tij zyrtare jashtë vendit blihen orë fluturimi në bazë të një marrëveshje promocionale që ka nënshkruar qeveria.Ai tha se qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë janë të vetmet vende në Europë që s’kanë avionë.
“Tërë qeveritë e rajonit, Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot, me qera s’e marrim dot, ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale. Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja “non stop” për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”, tha Rama.
Sipas kryeministrit për këtë çështje për të cilën veç mediave po reagon prej disa ditësh dhe opozita, po abuzohet dhe po shpifet.
“I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave? Jemi pyetur shumë herë këto vite për avionin ALBANIA dhe i kemi dhënë informacionet, po tani u bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba”, shkroi Rama në Twitter.Sipas opozitës janë shpenzuar 22 milionë € për fluturimet e kryeministrit, ndërkohë në shifrat që ai ka publikuar pretendon se buxheti që ai ka pasur në dispozicion për udhëtimet ka qenë sa gjysma e atij të përdorur nga paraardhësi i tij në 2012.