Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kanë nisur punimet në rregullimin e infrastrukturës për parkingun e madh në hyrje të kryeqytetit.
Rama, po ashtu bëri të ditur se punimet kanë nisur edhe për rregullimin e infrastrukturës për funksionalizimin e tregut të drunjve dhe lëndëve të tjera djegëse, pasi sipas tij, më nuk do të lejohen që këto produkte të shiten në zonën urbane.
“Tregu i veturave nuk do të jetë më në Zonën Industriale në Fushë Kosovë por do ta zhvendosim pikërisht në këtë lokacion ku kemi filluar punimet, në Kodrën e Trimave”.
“Autoshkollat do ta kenë lokacionin e veçantë. Ato do të zhvendosen nga “Stacioni i Autobusëve” në lokacionin i cili do të rregullohet në Kodrën e Trimave”, tha Rama, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se komunikacioni do të ketë më shumë lehtësime kur ky projekt do të përmbyllet.