Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Termokosi ka zgjeruar dhe rehabilituar rrjetin e tetë lagjeve të kryeqytetit.
Sipas Ramës, gjatë muajve të fundit janë kyçur 40 mijë qytetarë në rreth 9 mijë njësi të reja banimi.
“Gjatë këtyre muajve kemi kyçur 40,000 qytetarë në 8,900 njësi të reja banimi. Kemi zgjeruar, rehabilituar dhe densifikuar rrjetin në 8 lagje të Kryeqytetit. Mati 1, Arbëri, Dodona, Ulpianë, Qendër, Dardani, Bregu i Diellit, Qafa”, ka njoftuar Rama.
Ai ka shtuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që gjithçka të fillojë në muajin tetor.
“Përgatitjet janë bërë që gjithçka të fillojë si duhet në tetor. Kyçjet e reja do të kontribuojnë në kursim të energjisë dhe ruajtjes së ambientit në mënyrë që të kemi një Prishtinë sa më të gjelbër”, ka përfunduar ai.