Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është takuar sot me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me të cilët ka diskutuar për rrjedhën e reformës së trafikut urban në Kryeqytet.
Rama ka thënë se BERZH ka rikonfirmuar se procesi i blerjes së 30 autobusëve të rinj nuk është pezulluar, raporton Express.
Ai ka thënë se autobusët do të blihen së shpejti.
“U dakorduam të punojmë së bashku për të mbështetur NPK “Trafiku Urban” për të tejkaluar vështirësitë në përmbushjen e kritereve për blerjen e 30 autobusëve të rinj. Jemi të bindur se së shpejti do të vazhdojmë me blerjen e autobusëve”, ka shkruar Rama.
Rama ka deklaruar se nga viti i ardhshëm, do të ketë një rrjet më efikas të transportit, linja të reja për autobusë, dhe korridore të dedikuara për autobusë në qytet, përfshirë rritjen e numrit të autobusëve.