Dy orë pas mbylljes së qendrave të votimit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dalë në konferencë për media.
“U krye për bukuri me një llaf”, tha Rama për ditën e sotme.
Rama tha se sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarje të rëndë politike, të frymëzuar, nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen përpara në rrugën e normalitetit shoqëror dhe integrimit të popullit shqiptar në familjen e popujve të Evropës.
“Sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, fitoi forca e politikës, fitoi qytetaria, fitoi shpresa. Fitoi me të drejtë me dinjitet Shqipëria evropiane e fëmijëve tanë, humbi me turp Shqipëria e djeshme”, tha Rama.
Ai këtë e cilësoi një “fitore e vështirë mbase më e vështira, sepse nuk luftuan mes veti kundërshtarët në zgjedhje, por luftoi vet sistemi ende i brishtë demokratik me kundërshtarët”.
Ai falënderoi miqtë ndërkombëtarë të shtetit të Shqipërisë për mbështetje,
“Pas pak hyn një ditë e re që e gjen Shqipërinë të çliruar nga ankthi i gjysmës së mbrapshtë të këtij viti”, tha ai.
Rama tha se duke shkuar te votojnë ose jo njerëzit folën me gjuhën e paqes, dhe kthyen qytetarisht ditën e sotme.
“Ne fituam përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve. Nga sot Shqipëria nuk do të shoh me djegie mandate, bojkot zgjedhjes, nga sot pësimi i atyre që guxuan të marrin aventurën e mbrapsht gjysmë viti është mësim jo vetëm për ata, por për të gjitha partitë politike shqiptare, përgjithmonë”, tha Rama.