Kryeministri i Shqipërisë, njeherit kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nuk ka folur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për situatën në veri të Kosovës, ndërsa duke iu referuar KFOR-it tha se Kosova mbrohet nga bashkësia ndërkombëtare.
Pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit e qarqeve të PS-së, i pyetur nëse Shqipëria do të ndihmojë Kosovën me trupa ushtarake e policore, Rama u shpreh se Kosova është një shtet i pavarur dhe nuk duhet të ketë trupa policore të shteteve të tjera.
“Për çfarë arsye do ta ndihmojë Shqipëria Kosovën me forca policore dhe për çfarë arsye Kosova, që është një shtet sovran, demokratik, duhet të ketë forca policore të shteteve të tjera në territorin e saj që është një territor integritetin e të cilit e mbron një bashkësi e tërë ndërkombëtare”, deklaroi Rama, transmeton KP.
Serbia ka njoftuar se do t’i kërkojë NATO-s që të dislokojë 1 mijë trupa policore e ushtarake duke pretenduar se këtë ia lejon rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB. Megjithatë, mbrëmjen e së martës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan se e kundërshtojnë kategorikisht këtë propozim.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha për REL-in se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.