Seanca e fundit e sesionit parlamentar të Kuvendit është shoqëruar me replika mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama për reformën në drejtësi.
Berisha në fjalën e tij tha se miratimi me konsensus të plotë i reformës i shërben çdo qytetari shqiptar. Maxhoranca u nda në këtë proces, tha ai, pasi një krah i rëndësishëm i saj, LSI-ja, nuk pranoi kapjen që qeveria po tentonte t’i bënte sistemit të drejtësisë. Sipas Berishës, nga ky konsensus fitoi PD dhe LSI-ja, që siç tha ai, në momente kritike, mes konsensusit dhe bashkëqeverisjes, zgjodhi konsensusin.
Pas deklaratave të Berishës reagoi kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi paraardhësin e tij për atë që do të ndodhë pas miratimit të reformës në drejtësi.
“Do ta shikosh vetë se si prokurorët dhe gjykatësit e lidhur pas trungut tënd do të ikin ku e kanë vendin dhe do të pastrohet gjithë pallati i drejtësisë nga llumi, ku e keni zhytur”, deklaroi Rama.