Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se sot, në ditën e Diasporës, ka marrë vendim për themelimin e zyrës koordinuese për Diasporën në kuadër të kryeqytetit, shkruan IndeksOnline.
Rama tha se kjo zyrë koordinuese,
do të funksionalizohet shumë shpejt.
Postimi i plotë:
Rrugëtimi im, lidhet ngushtë me jetesën, edukimin dhe arritjet e secilit mërgimtar. E ndjej thellë lidhjen e mërgimtarëve për vendlindjen që është e fortë, ashtu sikurse edhe kontributi i secilit.
Sot, më 2 gusht, pikërisht në ditën e Diasporës, mora vendimin për themelimin e zyrës koordinuese për Diasporën në kuadër të Kryeqytetit.
Hapja e zyrës koordinuese për Diasporën në nivel lokal ishte nevojë dhe kërkesë e kahershme, andaj sot ne po përmbushim edhe një nga premtimet tona.
Kjo zyrë koordinuese, e cila do të funksionalizohet shumë shpejt, në vete do të ngërthejë këto aktivitete :
3.1. Organizimi i ngjarjeve që synojnë promovimin e partneriteteve të reja biznesore, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të huaja nga diaspora në Kryeqytet. I përgjigjet pyetjeve të diasporës lidhur me zhvillimin e biznesit dhe investimeve të tyre në Prishtinë;
3.2. Ofrimi i këshillave në lehtësim të procedurave administrative dhe shërbimeve të
dhëna nga Komuna, veçanërisht gjatë fluksit të madh të vizitorëve nga diaspora gjatë sezonit të pushimeve;
3.3. Zhvillimi dhe shpërndarja periodike e përmbajtjeve të rëndësishme informative me
rëndësi për diasporën lidhur me zhvillimet në Kryeqytet, me theks të veçantë në çështjet
ekonomike por edhe kulturore;
3.4. Zhvillimi i një mekanizmi për të mundësuar transferimin e njohurive dhe aftësive nga
profesionistët e diasporës në departamente të ndryshme komunale (mund të ketë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim si trajnime, mentorime, seminare, vlerësime të projekteve, lehtësim i lidhjeve me institucionet dhe organizatat përkatëse jashtë vendit);
3.5. Vendos në shfrytëzim marrëdhëniet dhe ndikimin e pjesëtarëve të diasporës në vendet e tyre rezidente, për të promovuar turizmin, produktet vendore dhe sektorë të tjerë ekonomik me interes për Kryeqytetin. Pjesëtarët e diasporës mund ta luajnë lehtësisht rolin e ambasadorit të Komunave në fusha të ndryshme në vendet rezidente;
3.6. Krijimi i databazës përfshirëse të pjesëtarëve te Diasporës nga Kryeqyteti;
3.7. Inicimi i krijimit të platformave filantropike në Diasporë, me qëllim të ofrimit të mbështetjes financiare në kauzat me interes të Kryeqytetit.
Diaspora jonë, paraqet elementin më fisnik e cila gjithmonë mban lidhjen me atdheun, dhe për kontributin tuaj të vazhdueshëm jemi përjetë mirënjohës! ????