Çështja e mbetjes së pasurive në fazën e sekuestrimit është sfida kryesore për agjencionin sipas kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Rrahim Rama.
Sipas Ramës qëllimi i këtij organi është ruajtja e vlerës së këtyre pasurive të luajtshme.
I ftuar në emisionin Ballë për Ballë në Klan Kosova, Rama tha se në këtë mënyrë po humb shumë buxheti i Kosovës.
“Sfida kryesore për agjensionin që e udhëheq është çështja e mbetjes së pasurive në fazën e sekuestrimit që qëndrojnë një kohë të gjatë”.
“Ne sot e kemi pasur një ditë të mbushur me aktivitete ku kemi ftuar mediat që ta shohin prej së afërmi punën që e bëjmë”.
“Natyrisht që ta bëjmë një kampanjë që gjykatat dhe prokuroritë të merren më seriozisht me çështjen e lejimit të shitjes së këtyre aseteve”.
Rama thotë se secila nga këto vetura humb vlerën për 2.5% çdo muaj, ndërsa e vetmja mënyrë për të mos ndodh kjo është shitja e tyre ende pa përfunduar procedura penale.
“Sipas ekspertëve një veturë amortizohet çdo muaj 2.5% dhe kemi raste që qëndrojnë edhe pesë vite ato vetura”.
“Vlera e një aseti i ruhet vetëm nëse na lejohet shitja e atij aseti në fazën e sekuestrimit”.
“Për asnjë rast nuk është aprovuar nga gjykata për shitjen e këtyre aseteve në fazën e sekuestrimit”.
“Ne përveç që bëjmë thirrje publike nuk kemi më kujt t’i drejtohet dhe kemi bërë kërkesa me shkrim”.
Ndërsa Rama thekson edhe rastin e ku Gjykata e Pejës ka lejuar shitjen e katër veturave.
“Rasti i parë që ka ndodhur dje Gjykata e Pejës na e ka lejuar shitjen e katër veturave”.
“Ne i kemi dy konto në Bankën Qendrore, konton e mirëbesimit dhe konfiskimit ku të gjitha paratë që fitohen nga shitja prej sekuestrimit ne i derdhim në konton e mirëbesimit”.
“Në konton e konfiskimit ku të gjitha mjetet që burojnë nga konfiskimi i derdhim ato dhe shkojnë direkt në buxhetin e Kosovës”.
“Sfida kryesore që ne e kemi në agjencion është humbja e vlerës së aseteve që ne i administrojnë dhe kjo çështje po e dëmton buxhetin e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Rama. /KlanKosova/