Si rezultat i bllokadës bullgare për Maqedoninë e Veriut, Brukseli nuk mund të ecë para me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Një gjë e tillë e ka tensionuar kreun e Qeverisë shqiptare, Edi Ramën, i cili qysh para se të hynte në objektin ku u organizua Samiti BE-Ballkan Perëndimor, s’ka kursyer kritikat për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare, duke thënë se të gjithë po rrinë dhe po shohin teksa Bullgaria ka marrë peng dy vende anëtare të NATO-s, raporton Gazeta Express.
Një qëndrim të tillë të Ramës e ka komentuar dhe analisti politik dhe historiani, Florian Bieber, duke thënë se “Kur ai e ka me të drejtë e ka me të drejtë”.
Tensionimi i Ramës është vërejtur edhe pas përfundimit të takimit, teksa liderët pjesëmarrës ishin nisur për tek vendi ku ishte planifikuar realizimi i fotografisë familjare. Gjatë gjithë ecjes brenda objektit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shihet teksa bisedon me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, raporton Gazeta Express.
Përveç këtyre dyve, Rama shkëmben disa fjalë edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në momentin që vendosen në vendet e tyre të caktuara për të realizuar fotografinë. Rama në vieon e publikuar, bisedon edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Nuk dëgjohet se për çfarë flasin, megjithatë një postim i kryeministrit Edi Rama në ‘twitter’ rreth fotografisë familjare zbulon pak a shumë se ai iu është ankuar liderëve të BE-së dhe shefave të qeverive të shteteve anëtare për bllokimin e procesit të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Vend i bukur njerëz të këndshëm fjalë të bukura foto të bukura dhe imagjinoni sa më bukur mund të ishte nëse premtimet e bukura do të pasoheshin nga një rezultat i këndshëm”, ka shkruar Edi Rama.
Ai tutje ka thënë se pavarësisht asaj se çfarë po ndodh, Shqipëria nuk do të dorëzohet dhe se Tirana do të punojë për t’u bërë anëtare e BE-së.
Nice place nice people nice words nice pictures and just imagine how much nicer could be if nice promises were followed by nice delivery… But we Albanians are not as nice as to give up nicely! So we will keep going and working even harder to make Albania a nice EU member???????????? pic.twitter.com/j057Ywf2tY
— Edi Rama (@ediramaal) June 23, 2022