Site icon PrishtinaPress

Rama në Beograd për energjinë: Inflacioni i luftës po godet, të bashkojmë tregjet

Kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë këtë të enjte në konferencën rajonale “Mbi mundësitë në zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor”, e cila u zhvillua në Beograd me iniciativën e qeverisë serbe dhe asaj norvegjeze.

Pas takimit, Rama u shpreh se është i nevojshëm të rajonizohen tregjet sa i takon energjisë.

“Është një mundësi e shkëlqyer dhe një mbledhje vërtetë e nevojshme në këtë lufte, kur bombat dhe plagët godasin diku në Ukrainë, por kriza energjetike dhe inflacioni i luftës kanë goditur kudo, kur kemi nisur Ballkanin e Hapur dhe kur nxitëm një bashkëpunim më të gjerë. Na duhet të rajonizojmë tregjet tona. Sa i takon energjisë, na duhet të shkojmë përtej tregjeve tanë, në të kundërt ende mbetemi tregje të vogla. Ajo që na duhet mund të jetë më tepër e kushtueshme. Duke vepruar në nivel rajonal, ne mund të kemi një qasje më te lehtë në financime dhe mund të kemi një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat. Shpresoj fortë që ky bashkëbisedim do të vazhdojë dhe që ne do t’i kemi me vete partnerët tanë norvegjezë për të konceptuar një masterplan rajonal dhe një udhërrëfyes investimesh. Pres me padurim që ky dialog që nisi tashmë me këmbën e mbarë të thellohet”, tha Rama.

Ndërkohë, në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u shpreh se është e nevojshme që të krijohet një treg i përbashkët energjetik në rajon, pasi disa shtete prodhojnë energji në dimër e të tjera në periudha të ndryshme të vitit.

“Kemi marrë rekomandime se çfarë mund të bëjmë ne si Serbinë. Është një nivel i madh investimeve që duhen bërë. Në varësi të zgjedhjeve që ne mund të bëjmë është një investim nga 17-32 miliardë euro që ne mund të bëjmë, në mënyrë që të kemi gaz dhe energji të mjaftueshme. Kjo është një arsye e re për rritje sepse kjo është mundësia përveç problemeve që kemi. Ne të kemi një treg rajonal të qëndrueshëm, që të ndihmojmë njeri-tjetrin sepse disa prodhojnë në dimër e disa në periudha të ndryshme të vitit dhe mund të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kjo është një çështje që nuk ka rëndësi vetëm për këtë dimër. Vihet në pikëpyetje që disa konflikte do të mbyllen”, u shpreh Vuçiq./A2Cnn

Exit mobile version