Kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, tha se beson në bashkëpunimin e Qeverisë Kurti për realizimin e projekteve të mëdha në Prishtinë, megjithatë ai nënvizoi se projektet e tij mund të realizohen edhe nëse nuk e ka mbështetjen e nivelit nacional.
“Unë mendoj se qeveria nuk ka asnjë arsye të mos na përkrahë, por nëse nuk na përkrahin, vetëm po them nëse, sepse nuk besoj që nuk na përkrahin, por nëse jo atëherë ne si qeveri lokale kemi qasje në fonde si ato të BERZH-it, të Bashkimit Evropian. Qeveria lokale aty mund të ketë qasje të drejtpërdrejtë mirëpo kamata nëse nuk e kemi garancionin prej nivelit qendrorm kamata është më e lartë” tha Rama në KlanKosova.
Kryetari i zgjedhur i Prishtinës tha se ende nuk është kontaktuar nga kryeministri Kurti, por u shpreh i sigurt se ky i fundit do ta ftojë për takim.
“Jo ende, por me siguri që do të më thërras edhe zotëri Kurti, do të kemi takim, ai është kryeministër i Kosovës, i shtetit dhe unë kryetar i kryeqytetit, gjithsesi që do të kemi takim, unë zotërinë Kurti e njoh para shumë kohësh, njihemi moti dhe nuk kam asnjë arsye të besoj se nuk do të kemi bashkëpunim, e kam mik, shok” tha Rama.