Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Me një reagim në platformën “X”, Rama thotë se “ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit të Evropës të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë”.
Sipas tij, për të pasur sukses në këtë proces, duhet që Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Ndërsa i afrohemi takimit të Këshillit të Evropës të 21 marsit, është thelbësore të kujtojmë se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj Zbatues, është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Nuk mjafton thjesht që Marrëveshja të jetë ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës.”, shkruan Rama.