Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka takuar Kryeshefët e Ndërmarrjeve Publike të Kryeqytetit. Rezultates e punës së ndërmarrjeve janë impresionuese.
Në njoftimin e Ramës thuhet Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë ka shënuar rritje të të hyrave për 81% më shumë se vitin e kaluar.
Kryetari njofton se “Prishtina Parking” ka inkasuar më shumë para për 42% më shumë se vitin e kaluar ndërsa Termokos ka rritur 20% vlerën e të hyrave.
“Në takimin me Kryeshefët e Ndërmarrjeve Publike të Kryeqytetit u informova për situatën aktuale në të cilën gjenden ato.
Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë ka shënuar rritje të të hyrave për 81% më shumë se vitin e kaluar falë nënshkrimit të kontratave të reja për renovimin e objekteve shkollore, shëndetësore, renovimin, mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta të ndërtesave shumë-banesore.
Termokos ka rritur 20% vlerën e të hyrave. Ka përfunduar tashmë kyçjen e 8914 njësive banesore apo 40.000 qytetarëve të rinj, ka përmirësuar me intervenime e investime rrjetin aktual të ngrohjes për tu bërë gati që sezoni i ngrohjes të fillojë me 15 Tetor.
“Prishtina Parking” ka inkasuar më shumë para për 42% më shumë se vitin e kaluar. Ka ndërprerë kontratat me operatorë ekonomik të shtrenjtë, çka ka ndikuar në rritjen e pagave për punëtorët e Ndërmarrjes. (580 euro paga mesatare). Po ashtu vazhdon të investojë e të mirëmbajë parkingjet publike në Kryeqytet.
“Kuzhina Qendrore”, ka regjistruar të hyra për 152 mijë euro më shumë se vitin e kaluar, duke arritur shifrën totale 792 mijë euro në inkasim. Buxheti është shtuar falë riorganizimit dhe funksionalizimit të kuzhinës dhe hapjes së sektorit të shitjeve në sektorin privat. Kjo ndërmarrje po ashtu ka përmirësuar menynë e ushqimit për fëmijët parashkollor.
“Sport Marketing” me 51 ditë pune efektive ka gjeneruar afër 67,900.00 Euro (19% më shumë se vitin paraprak). Pishina e Gërmisë këtë verë ka pasur kushte më të mira infrastrukturore se vitin e kaluar falë investimeve të cilat janë bërë.
“Pallati i Rinisë” ka ulur shpenzimet në 60% ndërsa ka rritur të hyrat për 20% më shumë se në vitin 2022. Falë angazhimit të stafit edhe inkasimi i borxheve është arritur në 70%.
“Trafiku Urban” ka shtuar 10 mijë udhëtarë më shumë në ditë me biletën ditore 0.80 cent. Tani udhëtojnë 35.000 persona me autobusët e kësaj ndërmarrjeje brenda 24 orëve. TU ka shënuar rritje në të hyra për 23%. Me marrëveshjet e arritura me operatorë telefonik u ka mundësuar qytetarëve që të paguajnë biletën përmes sms e po ashtu është bërë riorganizimi i linjave.
“Stacioni i Autobusëve”- Në Stacion janë realizuar 35.000 nisje të autobusëve, 5 mijë më shumë se vitin e kaluar si dhe është hequr çmimi i peronizimit.
Kompania Regjionale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka shënuar rritje të të hyrave për 20% çka ka ndikuar në uljen e borxheve dhe sigurimin e pagave për të gjithë punëtorët pa vonesa, mirëpo ende ka shumë sfida për të cilat jemi duke punuar intesivisht në zgjidhjen e tyre.
“Hortikultura” ka bërë reformë administrative duke rregulluar infrastrukturën ligjore dhe gjithë procedurat administrative konform ligjeve në fuqi, duke përfshirë rregulloret, marrëveshjet, kontratat dhe vendimet e jashtligjshme. Po ashtu është përmirësuar inkasimi në Deponinë e Dheut dhe në Autotreg në rritje prej 30%.
Po ashtu Kryeshefët ekzekutiv të Ndërmarrjeve Publike të Kryeqytetit më informuan se punonjësit e NP-ve tani kanë edhe sigurim shëndetësor.
Por, megjithë këto të hyra, ne nuk mjaftohemi, Kryeqytetit ka nevojë për shërbime më efikase, andaj KE-të adresuan problemet që kanë dhe u zotuam që bashkërisht t’i zgjidhim në mënyrë që të ofrojmë shërbime sa më të mira për të gjithë qytetarët” shkruan Rama në njoftim./Indeksonline/