Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me takimin e djeshëm në Bruksel të kryenegociatorëve me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, takime nga të cilat s’ka pasur pothuajse kurrfarë progresi.
Rama në reagimin e tij ndaj njoftimit të Miroslav Lajcak, ka thënë se BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar zbatim të shpejt të Marrrëveshjes Themelore.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij nuk duhet lejuar që veriu i Kosovës të bëhet një “Donbas i Vogël” nga trazirat e nxitura nga Rusia.
Rama gjithashtu ka thënë se s’duhet lejuar që as dialogu të bëhet një lojë e Ballkanit të Vjetër ku palët fajoësojnë njëra tjetrën nga mungesa e vullnetit real dhe të fortë të tyre.
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se përveç diskutimeve të mira, ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë shumë vonë.
“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as veriu i Kosovës, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës lokale është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga trazirat e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi e Ballkanit të Vjetër nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”, ka shkruar Rama.