Pas nënshkrimit të marrëveshjes tripalëshe mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, liderët e këtyre vendeve kanë mbajtur një konferencë të përbashkët.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij ka theksuar se shpirti i kësaj nisme është për një ekonomi të përbashkët për lëvizje të lirë të qytetarëve në këto tre vende, lehtësimin e barrierave tregtare dhe ndihmën e dhënë në rast vështirësish
Ai nënvizoi se do të ishte në të mira të tre vendeve, që të bëhen bashkë në rast vështirësish dhe katastrofash natyrore.
Ndërkohë Rama u është përgjigjur edhe vendeve që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e nismës duke theksuar se të gjithë e kanë mundësinë por nuk do të lusin askënd.
“Boll me këtë na ftuan nuk na ftuan. Ishin në Tiranë. Ishin të qartë disa duan disa jo. Autostradat hekurudhat, lëvizja e lirë, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë por liri pa këto është e vështirë ta kesh dhe ta kesh të pa kërcënuar. Politika më e mirë është bashkëpunimi.” tha Rama.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u zhvillua në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.
Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.
Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.