Site icon PrishtinaPress

Rama i fton liderët e Ballkanit Perëndimor më 17 Korrik në Tiranë: Kurti është i ftuar edhe pse BE mund të mos e ftojë

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi Dritan Abazoviq, foli edhe për takimin në Tiranë për Procesin e Berlinit.

Ai tha se do ta ftojë kryeministrin Albin Kurti edhe nëse vendet tjera mund të mos duan ta ftojnë. Rama tha se Kurti në Tiranë është në shtëpinë e tij dhe se mund t’i hyjë garës edhe për t’u bërë i zoti i shtëpisë.

“Në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i Bashkimit Europian, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës, për Procesin e Berlinit kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që të jemi të gjashtë, bashkë aty për tej faktit që mund të mos jetë i ftuar apo mund të mos duan ta ftojnë në vendet e tjera. Në Tiranë Albin Kurti është në shtëpinë e vet – ku siç e dini – madje mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë. S’ka asnjë problem”, tha Rama në Mal të Zi.

Ndërkaq, për mungesën e takimit në Prishtinë me Kurtin, Rama tha se nuk ndihet i fyer që Kurti s’e priti.

“Unë nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër që nusja nuk i doli në takim. Unë në Prishtinë siç erdha edhe këtu për të pasë takime si kryeministër i Shqipërisë dhe në mënyrën më absolute s’kam asnjë problem personal e aq më pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm mendime të kundërta me një situatë të caktuar”.

Rama tha se këtë situatë po e përjetojnë të dy, por se në mënyra të ndryshme.

“Unë e trajtoj si një situatë që duhet ta trajtojmë së bashku, duke u ulur dhe biseduar, Albini e trajton si një situatë që duhet ta trajtojë pa u takuar dhe pa biseduar dhe është në të drejtën e tij”.

Exit mobile version