Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Bruksel, është shprehur i bindur se Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së pas dhjetë vjetësh.
“Për sa i përket dëshirës sime për të qenë anëtare me të drejta të plota në BE brenda 10 vjetëve, jam i bindur që do të jemi, nëse BE-ja do të vazhdojë të jetë aty. Mund të bëhemi anëtare edhe më shpejt. Çdo gjë mund të ndodhë”, ka thënë Edi Rama gjatë vizitës njëditore që zhvilloi në Bruksel, ku drejtoi takimin VIII të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë takim kanë referuar zëvendëspresidentja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, komisari për Zgjerim, Johannes Hahn, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu.
Në takimin që Rama pati me Mogherinin dhe Hahnin u diskutua kryesisht për ecurinë e reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare me theks zbatimin e reformës në drejtësi dhe koordinimin e përpjekjeve për të siguruar rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësim.