Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komenteve të homologut të tij britanik, Rishi Sunak në lidhje me emigrantët.
Edi Rama akuzoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se “ ka shpikur dramën” mbi emigrantët shqiptarë, në një kohë që sipas tij taniata përbëjnë vetëm dy përqind të mbërritjeve të varkave në kanalin La Mansh.
”Qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike. Më pak se dy për qind e totalit të mbërritjeve në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria. Të vazhdosh të flasësh për shqiptarët është gjest i ulët,” thotë Rama.
Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat kur ata flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, Sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve, shkruan The Telegraph.
Ai sugjeroi që komentet e saj vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë Kanalin me varka të vogla, mund të konsiderohen vetë krim.
Kryeministri britanik Rishi Sunak e cilësoi si të suksesshëm planin e qeverisë konservatore për të ndalur fluksin e emigrantëve. Sunak deklaroi sot se kalimet me varkë të vogël janë reduktuar me 20%, ndërkohë 1800 shqiptarë që po kryenin dënimin në burgjet angleze janë riatdhesuar në Shqipëri falë marrëveshjes mes dy shteteve.
“Marrëveshja me Shqipërinë po funksionon”, tha Sunak sot në një konferencë për median mbajtur sot.
“Numri i anijeve të vogla shqiptare që vijnë në Britani ka rënë në pothuajse 90% dhe tashmë po pranojnë 1 në 50 kërkesa për azilantët shqiptarë. Më parë ky raport ka qenë 1 me 5”, shtoi Kryeministri britanik.
Sunak i kërkoi parlamentit britanik që të miratojë një tjetër projektligj të qeverisë së tij që do të mundësojë ndalimin dhe dëbimin më të shpejtë të emigrantëve që shkojnë në Britani me varka të vogla dhe kthimin e tyre në vendet e origjinës.