Site icon PrishtinaPress

Rama flet si europian në Itali: Popujt e Ballkanit të rriten, të harrojnë rrëmujën e së kaluarës

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se duhet harruar “rrëmuja” e krijuar në të kaluarën në Ballkan dhe se popujt e këtij rajoni duhet të “rriten”. 

Këtë deklaratë ai e bëri në Itali gjatë Konferencës së 18-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane, derisa tha se nga ky vend fqinj i Shqipërisë duhet marrë mësim për të ndërtuar të ardhmen.

“Nuk ka asnjë të mirë për ne nëse nxisim ndasitë e tensionet. Na duhet të punojmë së bashku për t’ua bërë më të mirë jetën njerëzve tanë e fëmijëve tanë në Ballkan. Fqinjët nuk i zgjedh, një herë gjyshja më tha: ‘komshi i lumtur, shtëpi e lumtur’, e kundërta është vetëm një ankth. Këtu është shtëpia jonë, serbët nuk do shkojnë askund, as kroatët, as sllovenët. Na duhet të rritemi e të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar, e mos të harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë”, ka thënë Rama. 

Rama tha se realitetet e sotme tregojnë atë se çfarë mund të arrihet përmes paqes dhe bashkëpunimit dhe se sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje e ndasi.

“Rruga është shumë e gjatë për ne, por kemi bërë një rrugë të gjatë. Jemi një vend fantastik në krahasim se si ishim. nuk duhet të harrojmë asnjë herë që kemi një fqinj kaq të mirë sa Italia. Le ta përdorim këtë bekim e të mësojmë nga vëllezërit e fqinjët tanë italianë”. 

Kryeministri shqiptar shtoi se beson që Ballkani është dhe do të jetë një vend i mirë, duke thënë se edhe brenda këtij rajoni ka popuj që kanë përparuar. 

“Mendoj që të gjithë duhet ta shohin njësoj siç e shohim ne. Sllovenët e kroatët janë shumë herë para nesh, historia ka qenë shumë bujare me të… Duam të nxisim paqen dhe bashkëpunimin sa më shumë të mundemi. Duam absolutisht të mos e lëmë veten të tundohemi nga fantazmat e së shkuarës”.

Rama në Itali tha se BE-ja është në çdo plan të Shqipërisë dhe është zgjedhja e parë me vullnet të lirë e vendit të tij, pasi “më parë kemi qenë nën pushtetin e perandorive të ndryshme pa dëshirën tonë”.

Exit mobile version