Kanë filluar telashet e menjëhershme në Kryeqytet lidhur me mbledhjen e mbeturinave pasi së fundmi kryetari Rama ka kontraktuar disa kompani private për mbledhjen e tyre, raporton PrishtinaPress.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me anë të një postim në Facebook ka treguar se dje janë përleshur fizikisht puntorët privat dhe ata të kompanisë rajonale “Pastrimi” gjatë procesit të mbledhjes së mbeturinave.
Postimi i tij i plotë:
Sabotimi politik i kthyer në dhunë
Mbrëmë ekipet e reja të kontraktuara për mbledhje të mbeturinave në Kryeqytet janë kërcenuar e sulmuar nga disa punonjës të Kompanisë Rajonale ‘Pastrimi’ në dy lokacione të lagjes Dardania.
Në rastin e parë dy punonjës të kontraktuar janë sulmuar fizikisht, ndërsa në të dytin punonjës tjerë, po ashtu të kontraktuar, janë ndalur nga disa punonjës të Kompanisë Pastrimi dhe iu janë kërkuar letërnjoftimet dhe të dhëna tjera me qëllim të frikësimit.
Organet e Policisë së Kosovës janë informuar dhe menjëherë kanë reaguar në vendin e ngjarjes. Për këtë veprim të menjëhershëm falënderoj Policinë e Kosovës.
Për më shumë se një vit sabotimi të motivuar politikisht nga menaxhmenti i Kompanisë Pastrimi, Kryeqyteti jonë ka qenë në llumin e mbeturinave. Tani që zgjodhëm problemin, të njëjtit eksponentë eskaluan nga sabotimi në dhunë.
Dua të sigurojë qytetarët se ne nuk do të ndalemi dhe do ta bëjmë Prishtinën tonë të pastër e të gjelbër.