Site icon PrishtinaPress

Rama edhe më eksplicit me kryeministrin ukrainas: Konsiderojeni njohjen e Kosovës, ata njerëz e meritojnë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka bërë pjesë të rëndësishme të vizitës së tij në Ukrainë kërkesën që ky shtet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Pasi në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky i tha atij se Ukraina duhet ta njohë Kosovën, edhe më qartë e tha këtë në takim kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal.

“Po kështu do të doja t’ju kujtoja për faktin se ka edhe një vend tjetër në Ballkanin Perëndimor – janë 6 vende – i cili nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara, Kosova, që qysh prej ditës së parë vendosmërisht pranë Ukrainës. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën dhe e thash edhe gjatë konferencës së shtypit, e thash edhe publikisht që ju ta rikonsideroni njohjen e Kosovës pasi ata njerëz e meritojnë”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar tha se Kosova “nuk mbeti peng e së shkuarës” që të kujtojë qëndrimin e Ukrainës gjatë luftës në Kosovë. Rama kujtoi se Kosova doli krah Ukrainës.

“Ata realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme, sepse nuk mbetën peng i së shkuarës për të kujtuar se si Ukraina u soll aso kohe kur Kosova sulmohej. Por qëndruan për atë çfarë besonin për Ukrainën. Kështu që kjo do të ishte mirë që Ukraina ta rikonsideronte e të përçonte mesazhin e duhur në emër të komunitetit të ri politik europian që duam ta ndërtojmë së bashku”, tha Rama.

 

Exit mobile version