Debati virtual lidhur me miratimin e raportit të Dick Marty, ka vazhduar edhe sot në mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit tha se Rama bën zëdhënësin e Beogradit.
Rama ka pyetur Bashën nëse është e vërtetë se ka përdorur maskë qysh atëherë, kur merrte në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick.
Menjëherë erdhi një reagim nga vetë Basha, duke i thënë t’i lëjë shpifjet dhe lojërat politike.
“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, ka shkuar Basha.
Por sërish i është përgjigjur Rama përmes një postimi në Twitter, duke e pyetur çfarë mendon për votën votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty.
“Lulëzim! Mos u fshih pas Covid-it dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë!E thuaje cfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty!”, ka shkruar Rama, transmeton Telegrafi.
Debati i sotëm virtual nisi, kur Edi Rama përmes një postimi në Twitter, akuzoi Metën e Berishën për votimin e raportit të Dick Martytpër UÇK-në në Këshillin Evropës, kurse Bashën e akuzoi se nuk ka sqaruar për dosjen e përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan, ku Basha ishte përkthyes.
“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, ka shkruar Rama.
Bëhet fjalë për kohën, kur Lulzim Basha ishte përkthyes në atë kohë. Baza e materialit hetimor të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe krerëve të UÇK-së ishte pikërisht raporti i Dick Marty-t, senatorit zviceran që e ktheu në rezolutë të Këshillit të Evropës në vitin 2011.
Në ato vite, Jose Pablo Baraybar, një antropolog peruan që ishte në grupin e hetimeve të prokurorisë së Hagës pati dhënë një intervistë në një gazetë zvicerane, ku theksonte se në grupin e atyre personave që ishin marrë me këtë çështje ishte edhe një përkthyes shqiptar i cili quhej Lulzim Basha. Në kohën kur Gjykata e Hagës nisi hetimet, Lulzim Basha ishte i punësuar në Kosovë si pjesë e administratës ndërkombëtare të OKB-së.
Por, nga ana tjetër kreu i PD-së nuk ka folur asnjëherë për të sqaruar këtë çështje, por në mënyrë të tërthortë e ka mohuar. Në një intervistë për mediat vendase peruani, Jose Pablo Baraybar, i cili u pyet se Basha thotë se nuk ka qenë pjesë e hetimeve deklaroi krejt të kundërtën e pohimit të liderit aktual të PD-së. /Telegrafi/