2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Rama dënon videot kundër Haradinajt e Thaçit: Me Kurtin kam dallime për botëkuptimin e përbashkët kombëtar

Kryeministri shqiptar, Edi Rama foli për “inate politike provinciale” në opinionin publik në internet, duke i dënuar “videot e porositura”, të cilat tha se po shpërnahen “për të diskredituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Isa Mustafën”.

Duke u ndalur te Haradinaj, Rama tha se ai s’duhet ta ketë problem t’i trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës, pasi ai “bën luftën kur është për të bërë luftën”.

Rama tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka divergjenca botëkuptimore “mbi mënyrën se si arrihet te botëkuptimi i përbashkët kombëtar”.

“Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë sesa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër, ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal. Madje në nivel personal kam kënaqësi të bisedoj me të. Por me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te botëkuptimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka si më pengon sot, as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat që janë të lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua personalisht”, tha Rama.

Por gjithashtu fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi nuk ka si më pengon që ta shpreh këtu publikisht neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe shpërndarë ditët e fundit përmes tastierave të luftës digjitale ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëhej copë-copë nga trollsat e trushpëlarjes kinse patriotike”, shtoi ai.

“E dini si është puna? Ramush Haradinaj, si çdo komandant tjetër, që ka parë gjakun e vërtetë në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste dhe si çdo luftëtar që ka fituar luftën me armë të vërteta, duke varrosur vëllezër e shokë lufte të vrarë, dhe duke rrezikuar që ta marrë edhe vetë plumbin e armikut në ballë, dhe nuk ka luftë imagjinare për të bërë me hapje varresh digjitale për ata që mendojnë ndryshe, pa rrezikuar asgjë, fshehur pas profileve fallce, nuk ka si ta ketë problem fare të trokasë gotat me deputetët serbë të Kosovës në një koktej komplet të zakonshëm”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Ai tha se Haradinaj po sulmohet “me mjete mizerabël, kineze të kohës së Mao Ce Dunit”.

“Kush nuk ka mizë nën kësulë e kush nuk ka gurë për të hedhur pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe e bën paqen kur është për të bërë paqen”, tha Rama, duke thënë “turpi i mbuloftë” ata që po e sulmojnë ish-kryeministrin e Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img