Site icon PrishtinaPress

Rama bën thirrje në Moskë për njohjen e Kosovës

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha të mërkurën në Moskë gjatë një konference shtypi me ministrin e Jashtëm rus se nuk sheh arsye se përse të tjerët kanë të drejtë të ndahen e të kenë shtetin e tyre dhe Kosova mos ta ketë këtë të drejtë.

Komenti i kryeministrit shqiptar ishte një reagim ndaj qëndrimit të Rusisë e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Ministri Sergey Lavrov tha se vendi i tij promovon dialogun mes palëve dhe do mbështeste një marrëveshje të pranueshme nga të dy vendet, ndërsa fajësoi Kosovën se nuk ka respektuar sipas tij, marrëveshjet e arritura, duke përmendur atë për krijimin e asociacionit të komunave serbe.

Nga ana e tij kryeministri Rama këmbënguli se është në të mirën e gjithkujt dhe të vetë Serbisë që të njohë Kosovën.

Rama ishte në Moskë në cilësinë e kryetarit të radhës të OSBE-së. Fokusi i bisedimeve ishte kriza në Ukrainë, megjithatë palët diskutuan dhe për marrëdhëniet bilaterale që janë në nivele shumë të ulta.

Lavrov deklaroi se përparimi në marrëdhëniet dypalëshe është penguar për shkak të qëndrimeve të Shqipërisë në linjë me ato të Bashkimit Evropian, i cili ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

Kryeministri Rama u përgjigj se Shqipëria është anëtare krenare e NATO-s dhe një aleat krenar i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, dhe se ajo qëndron plotësisht në përputhje me miqtë e saj të mëdhenj, si dhe në rastin e sanksioneve.

Rama saktësoi se kjo është një zgjedhje që Shqipëria ka bërë me vullnetin e saj dhe jo një zgjedhje e detyruar.

“Unë nuk mendoj se Rusia është armik për askënd me të cilin ne jemi në krah. Prandaj kemi shumë gjëra që mund të shohim pa pretenduar që të ndryshojmë themelet e secilit”, nënvizoi zoti Rama, njofton VOA.

Exit mobile version