-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Rama: Askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha të premten në Beograd se askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, ndërsa nënvizoi se rruga e vetme përpara është ajo e bisedimeve dhe marrëveshjes së mbështetur në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në përfundim të vizitave të tij në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës të Procesit të Berlinit, që pritet të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

Vizitat e tij në rajon përkojnë me një periudhë tensionesh Kosovë – Serbi që u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill, të cilat u bojkotuan nga serbët.

Diplomacia perëndimore kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Kryeministri Rama tha se palët duhet të përmbushin kërkesat perëndimor për të shmangur përkeqësimin e situatës që mund të çojë në krijimin e një situate të krahasueshme me “Donbasin’, duke ju referuar territorit të pushtuar nga Rusia në Ukrainë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe uljes së pranisë së njësive të posaçme të policisë në veri, krahas vendosjes së sundimit të ligjit.

Ndërsa presidenti serb tha të premten se “askush që është normal nuk u gëzohet istikameve kombëtare apo mundësisë së konflikteve”, ndërsa nënvizoi se e di përmendësh planin evropian për uljen e tensioneve, por Serbia nuk mund t’i përmbushë e vetme. Ai theksoi se çështja e papërmbushur është “tërheqja e njëkohshme e kryetarëve të komunave dhe njerëzve që ndodhen përreth ndërtesave të komunave”, duke ju referuar protestuesve serbë.

Kryeministri Rama tha se është gabim të ngulet këmbë që kryetarët shqiptarë në veri të qëndrojnë në ndërtesa komunale, sikurse që është “gabim strategjik” zvarritja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve.

Kryeministri Rama paraqiti në fillim të muajit qershor një projekt statut të Asociacionit të cilin tha se ua dorëzoi presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, të cilat i quajti “kumbarë të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës”, duke iu referuar planit për të cilin të dyja palët u pajtuan në Bruksel dhe më pas në Ohër.

Por, presidenti serb tha se përgjegjës për projekt statutin “nuk janë kurrfarë kumbarësh, kurrfarë France e Gjermanie, e as kushdo tjetër, por ekipi menaxhues serb, në përputhje me marrëveshjen e parë të Brukselit dhe gjithë ato që janë arritur deri në gusht të viti 2015”.

Themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi që nuk arriti të ulë tensionet ndërmjet palëve.

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd pasoi vizitat në Podgoricë e Sarajevë, ndërsa një ditë më parë, vizitoi Shkupin dhe Prishtinën.

Në Prishtinë, ai nuk u prit nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cilu tha se takimin me të do ta zhvillojë vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, duke shprehur kësisoj zemërimin e tij me vendimin e zotit Rama për të anuluar një mbledhje të përbashkët të qeverive me 14 qershor në Gjakovë për shkak të tensioneve në veri të Kosovës./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img