Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama akuzoi edhe një herë opozitën për lidhje me Rusinë, ndërsa quajti diktator presidentin rus, Vladimir Putin.
Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama paralajmëroi edhe një herë për një dimër të vështirë, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
“Kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër, është e zhytur në thesin e rublave. Është praktikisht fatkeqësi edhe veprimtaria, edhe mënyra sesi vepron, mbajnë erë. Dhe ajo çka dimë, nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”, tha Rama.
Ai e quajti luftën në Ukrainë kërcënimin më të madh të kësaj epoke.
“Një agresion në dyert e Europës, që ka sjellë si pasojë përveç bombave dhe krimeve të panumërta në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë, të produkteve bazë në të gjithë botën, por patjetër në Europë dhe sigurisht edhe në Shqipëri”, tha Rama. “Është një inflacion lufte, kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putini, por nga ana tjetër, edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon asaj të bëjë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë”.
Kryeministri tha se buxheti i vitit të ardhshëm, që është duke u finalizuar, është dyfishi i atij të vitit 2013.
“Çka tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të të ardhmes së vendit, por është i bazuar te vendosmëria për të vazhduar të mbështesim të gjithë, sa të jetë e mundur. Uroj të kemi edhe shiun e nevojshëm, pasi duhet që jemi shumë të varur nga burimet ujore dhe duke pasur më shumë prurje, do të kemi më pak nevojë për të dalë në import. Gjithsesi do të vazhdojmë të dalim, sepse Shqipëria nuk prodhon sa për të mbushur të gjitha nevojat. Jemi shumë besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha. Sigurisht do të jetë dimër i vështirë, por me masat që kemi marrë besoj që do ta kalojmë më lehtë”, tha kryeministri./Prishtinapress/