Site icon PrishtinaPress

Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Në vazhdën e shumë projekteve investive të KEDS-it nëpër të gjitha lokalitetet e Kosovës, në fshatin Rakinicë të komunës së Skenderajt para pak kohësh ka përfunduar projekti i rrjetit të ri elektrik.

Kërkesa e banorëve të këtij fshati për një rrjet të ri e të qëndrueshëm u realizua falë përkushtimit të KEDS-it për përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme të rrjetit elektroenergjetik.

Inxhinierja Mbikëqyrëse në KEDS, znj. Artiola Buja, thotë se projekti i rrjetit të ri në këtë fshat nënkupton edhe siguri në rrjet, duke përmendur ndryshimin e trasesë së linjës.

“Me këtë projekt, përveçse është përmirësuar furnizimi me energji elektrike për konsumatorët tanë atje, është rritur edhe siguria në rrjet dhe janë eliminuar rreziqet që vinin nga rrjeti i vjetër dhe është bërë ndryshimi i trasesë së linjës”, thotë ajo.

Sipas saj, rrjeti i vjetër elektroenergjetik gjendej në një zonë të papërshtatshme, gjë që ua vështirësonte ekipeve të Mirëmbajtjes së KEDS-it intervenimet në rast nevoje.

Edhe banorët e këtyre lagjeve shprehen të kënaqur me investimin e bërë në rrjetin elektrik. Kadri Hajra thotë se ky projekt është shumë i mirëseardhur, meqë tashmë kanë një rrjet të ri dhe furnizim stabil.

“Jemi shumë të kënaqur me investimin e ri në fshatin tonë nga KEDS-i. Nuk e kemi pasur rrjetin e ri përpara, bile ka qenë i vendosur nëpër ara. Tash vendosja e tij është bërë përskaj rrugës, çka na ofron siguri të madhe”, thotë ai.

Në linjën e re, e gjatë rreth tre kilometra, janë instaluar afër 60 shtylla të betonit të Tensionit të Mesëm dhe atij të Ulët, bashkë me afër 60 ormanë dhe stabilimente të tjera përcjellëse.

Ky projekt ka kushtuar afër 60,000 euro dhe prej tij tashmë po përfitojnë afër 250 banorë të këtij fshati.

KEDS-i po vazhdon së realizuari projekte investive gjithandej Kosovës me qëllim që konsumatorëve tanë t’u sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe stabil me energji elektrike.

Exit mobile version