Një prototip i raketës së SpaceX, Starship, shpërtheu gjatë lëshimit mbrëmë, përpara fillimit të Falcon 9 më vonë sot.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, prototipi Serial Number 4 shpërtheu si një top zjarri në vendin Boca Chica të SpaceX në jug të Teksasit, momente pasi motori u ndez për një provë nën presion.
Ndërkohë janë publikuar pamjet e momentit të shpërthimit.
Nisja e dështuar vjen vetëm dy ditë pasi kompania e Elon Musk u desh të “abortonte” nisjen e Falcon 9 të dy astronautëve të NASA-s nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.
Misioni, i quajtur “Launch America”, ishte caktuar të dërgonte astronautët Robert Behnken dhe Doug Hurley në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Por vetëm 16 minuta e 54 sekonda para nisjes, misioni u ndërpre.
Kushtet e pafavorshme të motit nënkuptonin se misioni historik duhej të anulohej dhe ishte planifikuar për të shtunën.
Nëse do të jetë i suksesshëm, do të ishte hera e parë që astronautët amerikanë të nisen nga toka amerikane në nëntë vjet.