Fshati Celinë e Rahovecit, gjatë luftës, nuk ka pësuar vetëm në njerëz. Ky fshat ishte shkatërruar në tërësi nga forcat serbe. Shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara në tërësi pas luftës, janë rindërtuar me donacione dhe vetë-kontribut të banorëve të fshatit.
Investim nuk pati në rrjetin elektrik. Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), është e vetmja që ka filluar të investojë në këtë fshat, për të përmisuar energjinë elektrike.
Ymer Fazliu, banor i fshatit Celinë tha se infrastruktura e energjisë elektrike është shumë e dëmtuar. Sipas tij, deri më tash askush nuk ka investuar në përmirësimin e gjendjes, përveç KEDS-it. “Vitin e kaluar KEDS-i ka filluar të investojë në ndërrimin e rrjetit elektrik. Punimet ende janë duke u zhvilluar”, tregon Fazliu.
Ai tha se ky fshat ka nevojë për ndërrim të tërësishëm të rrjetit elektrik dhe falenderon KEDS-in për investim. “E falënderojmë KEDS-in për këtë investim që është duke bërë. Shpresojmë se edhe këtë vit do të vazhdojë me investime”, tha Fazliu.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Rahovec, Muhamet Behra tha se KEDS, gjatë vitit të kaluar ka realizuar disa investime në këtë komunë. Sipas tij, përveç në Celinë, KEDS ka investuar edhe brenda në qytet. “KEDS, deri tash ka kryer disa projekte në Komunën e Rahovecit, ku kanë përfituar mijëra qytetarë”, tha Behra.
Ai, shpreson se KEDS edhe këtë vit, do të vazhdojë me investime në Rahovec. “Sigurisht që do të vazhdojë me investime”.
Hajredin Sylejmani, banor i Rahovecit falënderon KEDS-in për investimet që është duke i bërë. Ai tha se është i kënaqur me investimet e deritashme.
“Falënderojmë KEDS-in për investimet që ka bërë, por edhe që do t’i bëjë, sepse kanë premtuar se edhe këtë viti, do të vazhdojnë me investime”, tha Sylejmani.
Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, tha ndërkaq se Rahoveci ka nevojë për investime më të mëdha se sa që janë bërë deri më tash. “Kam shpresuar se do të ketë më shumë investime”, tha Vehapi.
“Por, besoj se sivjet, KEDS, do të investojë më shumë se sa në vitin e kaluar, sepse kërkesat e qytetarëve janë të mëdha”, shtoi ai.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha se në Rahovec janë kryer disa projekte. “KEDS deri tash ka kryer disa projekte në Komunën e Rahovecit prej nga kanë përfituar direkt mijëra qytetarë të këtij qyteti”, tha Buzhala.
Ai premton se investimet nuk do të ndalen as sivjet në Rahovec. “Sigurisht, do të vazhdojmë me investime në mënyrë që rrjeti të jetë në standardet e kërkuara për të gjithë konsumatorët”, tha Buzhala.