10 krerë dele thotë se ia mbyti një ujk, javën e kaluar, Ibrahim Hoxha, banor i fshatit Shtavicë e Rahovecit.
Blegtori nga komuna e Rahovecit, që merret edhe me bujqësi, ka rrëfyer të martën ngjarjen e cila ka ndodhur javën që shkoi.
Thotë se rasti kishte ndodhur gjatë natës, dhe se ujkun që ia mbyti 10 krerë dele nuk e pa, por është i sigurt që kjo kafshë e egër ia shkaktoi dëmin.
“Natën ka ndodhë rasti, kur kam shku në mëngjes në afër për mi ushqy, e kam parë, i kam parë 10 dele të preme nga ujku. Ujkun nuk kam mujt me pa”, rrëfen ai.

Sipas tij, tetë nga 10 delet që iu mbytën i ka blerë në vlerën 170 euro, ndërsa dy të tjera që ishin desh i kishin kushtuar 250 Euro.
Në total vlera e dëmit të shkaktuar sipas tij është 1860 euro.
I pyetur nga gazeta online Reporteri.net nëse i njëjti ka paraqitur ndonjë ankesë, apo kërkuar ndihmë në Komunën e Rahovecit apo institucionet tjera qendrore, ai ka thënë se nuk e ka bërë një gjë të tillë pasi e ka humbur besimin tek ta.
Kjo pasi, Ibrahim Hoxha, thotë se edhe në të kaluarën ka pasur dëme të mëdha që i janë shkaktuar nga faktorë të ndryshëm, në punën e tij si bujk dhe blegtor.
“Nuk kemi kërkuar ndihmë sepse nuk ka asgjë as prej komunës, e kam humbur besimin që mundet me ndihmu komuna”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, edhe në rastin kur për shkak të vërshimeve iu ishin dëmtuar serat, ishte lajmëruar komuna dhe edhe pse komisioni i vlerësimeve ka qenë në vendin e ngjarjes, asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje apo kompensim nga Komuna e Rahovecit. Për këtë arsye, ai ka thënë se këtë herë ka vendosur të mos e lajmëroj rastin.